E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomacia greke, një hap para asaj maqedonase

Athinë-Shkup

Pas deklaratës së fundit të ministrit plotësues të Jashtëm të Greqisë, Dimitris Drucas, se Athina është gati ta pranojë emërtimin e “Republika e Maqedonisë Veriore” për të gjitha përdorimet, pra në planin dypalësh dhe atë ndërkombëtar, duket qartë se diplomacia maqedonase përsëri vazhdon të mbetet një hap mbrapa asaj greke në përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes shumëvjeçare për çështjen e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë. Në qarqet politike të Maqedonisë, sikurse shkruan përgjithësisht këto ditë edhe media maqedonase, vihet në dukje se Athina në këtë mënyrë po përpiqet ta vendosë para faktit të kryer Shkupin, duke e lënë topin në pjesën e fushës së këtij të fundit, ndërkohë që duhet të theksohet se nga autoritetet e larta maqedonase vijnë reagime jozyrtare e të vakëta se deklarata e lartpërmendur e Drucasit është një qëndrim i njëanshëm ndaj problemit, por, sidoqoftë, pa ndonjë shprehje të qartë se çfarë është e pranueshme dhe çfarë nuk është e pranueshme për Maqedoninë. “Loja mbaroi. Ne kemi ndërmarrë të gjitha hapat e domosdoshëm dhe ua kemi bërë të qartë të gjithëve se Greqia synon zgjidhjen e problemit sa më shpejt që të jetë e mundur. Por që të arrijmë deri te zgjidhja duhet vullnet politik edhe nga pala tjetër. E deklarojmë hapur se emërtimi që përmban përcaktimin gjeografik për të gjitha përdorimet është një shprehje reale e situatës. Dhe emërtimi Republika e Maqedonisë Veriore përfshihet në kuadrin që unë po përshkruaj”, deklaroi Drucas”, duke u përpjekur të tregojë në këtë mënyrë se Greqia lidhur me problemin e emrit të fqinjit të saj jugor është e qartë, konstruktive dhe është gati për kompromis. Kështu që tani e ka radhën Maqedonia që të thotë se çfarë është gati të pranojë dhe të bëjë pjesën e vet të rrugës deri tek arritja e kompromisit. Por, sidoqoftë, Maqedonia këto kohët e fundit po mban një qëndrim disi pasiv, duke treguar se heshtja jo gjithnjë është flori dhe se ky qëndrim i saj lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin po e çon në një pozitë që ta pranojë ose ajo atë që ofron Greqia, duke ia lënë kësaj të fundit që ta udhëheqë “lojën”. Në fakt, ministri alternativ i Jashtëm grek, me deklaratën që bëri, ndërmori një veprim që funksionarët dhe diplomatët e lartë europianë kanë kohë që ia kanë kërkuar Maqedonisë, që ajo të dalë me një propozim konkret të saj për zgjidhjen, që do ta vinte atë në pozita më të forta në këtë mosmarrëveshje me fqinjin e saj verior. Për më tepër që këtë asaj (Maqedonisë) ia ka kërkuar kohë më parë edhe ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet greko-maqedonase për emrin, Metju Nimic, që Shkupi ta pranonte emërtimin Republika e Maqedonisë Veriore që do t’i siguronte asaj një pozitë më të mirë sa i përket gjuhës dhe identitetit të kombit (maqedonas) në mosmarrëveshjen me Greqinë. Por qëndrimi i Maqedonisë në këtë drejtim lë mjaft për të dëshiruar, duke ia lënë iniciativën Greqisë, ndërkohë që ministri mjaft aktiv Drucas nuk ka ditë që të mos japë intervista në median vendëse dhe ndërkombëtare, duke krijuar përshtypjen e përgjithshme në qarqet europiane se është Greqia ajo që po bën lëshime të mëdha, megjithëse, sikurse del, janë vetë grekët që e propozojnë emrin Republika e Maqedonisë Veriore dhe janë po ata që e pranojnë propozimin e tyre!

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›