E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB, kundër Ligjit të Falimentimit

 

Drafti parashikonte shpalljen e falimentit për të gjithë bizneset që nxjerrin bilance negative

Vendi i fundit për procedurat e falimentimit, asnjë biznes nuk ndjek procedurat

Në këtë draft, të sjellë nga qeveria në Parlament, për herë të parë përcaktohet shpallja si të falimentuara e të gjitha kompanive që pavarësisht pagesave të të gjitha detyrimeve, paraqesin bilance negative. Ndërsa për të gjithë kompanitë që nuk kanë aftësi paguese, Ligji përcakton si afat për shpalljen e tyre si të falimentuara periudhën prej 2 vjetësh.

Qeveria është tërhequr nga qëndrimi i saj për Ligjin e Falimentimit, duke iu kthyer sërish diskutimit përsa i përket kategorive të biznesit që duhet të nxirren nga tregu. Në këtë draft, të sjellë nga qeveria në Parlament, për herë të parë përcaktohet shpallja si të falimentuara e të gjitha kompanive që pavarësisht pagesave të të gjitha detyrimeve, paraqesin bilance negative. Ndërsa për të gjithë kompanitë që nuk kanë aftësi paguese, Ligji përcakton si afat për shpalljen e tyre si të falimentuara periudhën prej 2 vjetësh. Por Banka Botërore pasi ka parë draftin përfundimtar të projektligjit që ka shkuar për miratim në Parlament, është shprehur kundër, duke kërkuar që drafti të ndryshohej sërish dhe të diskutohej në komisione. Por nënkryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Arben Malaj, ka kërkuar nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Financave që ta konsultojnë edhe njëherë projektligjin me Këshillin Konsultativ të Biznesit, pasi ato janë edhe grupet e interesit në këtë ligj. Anëtarët e Komisionit të Ekonomisë kanë kërkuar nga ana e specialistëve të Financave, që të marrin parasysh faktin e një sërë deformimesh që ka në treg për të dhënat që vijnë nga ana e biznesit, duke e bërë edhe ligjin, pjesë të integruar të këtij realiteti.

Falimentimi, qeveria e dështuar

Sipërmarrësit vendës nuk kanë asnjë mundësi për të ndjekur një procedurë të drejtë të falimentimit të biznesit të tyre. Sipas raportit të Bankës Botërore, edhe gjatë vitit 2007 nuk ka pasur asnjë rast të tillë, as për statistikat e këtij institucioni. Një situatë e tillë, sipas BB, vlerësohet si një tregues i qartë i vështirësive në të cilat operon biznesi vendës. Një situatë e tillë, sipas raportit, bën që në shumë vende në zhvillim të ketë humbje të mëdha nga ana e një pjese të pjesëmarrësve në sipërmarrje. Situata në Shqipëri, në këtë pjesë të rëndësishme të zhvillimit të sipërmarrjes, mbetet tepër e errët, nëse e krahasojmë me të gjitha vendet e rajonit. Në një pjesë të vendeve të krahasueshme me Shqipërinë, nga ana e BB, ka një standard tjetër të këtij procesi. Kohëzgjatja e procesit të falimentimit në vendet e rajonit shkon nga 2 deri në 3 vjet dhe pjesa e të ardhurave të kthyera nga ana e procesit të falimentimit shkon nga 15%, që është rasti i Maqedonisë, në 47% për Slloveninë. Vlera të larta në rezultat, për treguesin e të ardhurave të kthyera nga ana e procesit të falimentimi, paraqet edhe fqinji ynë verior, Mali i Zi. Sipas raportit në këtë vend, sipërmarrjet që shkojnë në proces falimentimi, rikuperojnë rreth 42,8% të borxheve që kanë ndaj kreditorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›