E Diel, 1 Nëntor 2026

BBC: Rriten tensionet në Ngushticën e Hormuzit, Trump: SHBA-ja nuk do të lejojë të shantazhohet nga Irani

UASHINGTON, 18 prill /ATSH/-  Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi sot se Uashingtoni nuk do të lejojë që Irani të “shantazhojë” SHBA-në, në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, sipas BBC.

Duke folur nga Zyra Ovale gjatë nënshkrimit të disa urdhrave ekzekutivë, Trump u shpreh se mes SHBA-së dhe Iranit po zhvillohen “bisedime shumë të mira”, ndërsa e përshkroi sjelljen e Teheranit si “paksa të zgjuar në mënyrë dinake, siç ka qenë për 47 vite”.

Ai paralajmëroi se Irani synon mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një korridor kyç për tregtinë globale të naftës, por theksoi se SHBA-ja “nuk do ta lejojë një gjë të tillë”.

Sipas tij, administrata amerikane po mban një qëndrim të ashpër ndaj situatës.

Presidenti shtoi se priten zhvillime të reja “deri në fund të ditës” lidhur me Iranin, megjithatë, ai nuk iu përgjigj pyetjeve të drejtpërdrejta mbi konfliktin.

Bllokadë detare dhe konflikt në rritje

Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së bëri të ditur se ka detyruar 23 anije të ndryshojnë kursin, pranë Ngushticës së Hormuzit – që nga vendosja e bllokadës detare ndaj porteve iraniane më 13 prill. Forcat amerikane po vijojnë zbatimin e kësaj mase.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë deklaruar se e konsiderojnë bllokadën një shkelje të armëpushimit dhe kanë paralajmëruar kufizime të mëtejshme për kalimin e anijeve në këtë zonë strategjike.

Incidente detare pranë Omanit

Zhvillimet janë shoqëruar edhe me incidente të reja detare. Qendra e Operacioneve Tregtare Detare të Britanisë së Madhe raportoi se një anije kontejnerësh është goditur nga një “projektil i panjohur” rreth 25 milje në verilindje të Omanit, duke shkaktuar dëme në disa kontejnerë.

Në një rast tjetër, një anije turistike raportoi një shpërthim në afërsi të saj pranë brigjeve të Omanit, ndërsa vazhdojnë hetimet ndaj incidenteve.

Ndërprerje e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit

Situata ka ndikuar drejtpërdrejt në lëvizjen e anijeve tregtare. Dy mjete detare me flamurin indian u detyruan të ndryshojnë kursin, pasi iu ndalua hyrja në Ngushticën e Hormuzit nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike.

Të dhënat e gjurmimit detar tregojnë se anijet u kthyen mbrapsht – pasi kishin kaluar pranë ishullit Larak, duke reflektuar pasigurinë e shtuar në një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë.

Negociata në pritje

Ndërkohë, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka bërë të ditur se propozime të reja nga SHBA-ja, për t’i dhënë fund konfliktit janë aktualisht në shqyrtim, pa një përgjigje përfundimtare deri më tani.

Zhvillimet e fundit tregojnë një përshkallëzim të situatës në rajon, me pasoja të mundshme për tregjet globale të energjisë dhe sigurinë ndërkombëtare. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›