E Shtunë, 31 Tetor 2026

BDI reagon kundër Thaçit: S`lejojmë përsëritjen e 2006

BDI sot përmes një komunikate ka reaguar ndaj pretendimeve dhe deklarimeve të kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi se partia e tij nuk do të hyjë në Qeveri në rast se BDI frikësohet për shpërbërjen e koalicionit qeveritar.
 

“BDI asnjëherë nuk ka deklaruar një gjë të tillë dhe as që ka shprehur ndonjëherë drojë nga përsëritja e vitit 2006. BDI konsideron që legjitimitetin për përfaqësim të qytetarëve në Kuvend dhe në Qeveri e vendos sovrani me votën e vet të lirë dhe demokratike, në proces zgjedhor pa dhunë dhe frikësime.

Aventura e PDSH-së nga viti 2006 kur nuk respektoi vullnetin e votuesve shqiptar dhe uzurpoi institucionet e vendit duke injoruar votën shqiptare i takon historisë si një përpjekje e shëmtuar dhe e dështuar sepse kjo u dënua nga qytetarët dhe u dëshmua si e pasuksesshme për aktorët. U dëshmua që partia e cila nuk e ka legjitimitetin shqiptar nuk mundet dhe nuk guxon ta përfaqësojë vullnetin e qytetareve, sepse nuk mundet ta sigurojë as parimin e votës së dyfishtë për të realizuar demokracinë konsensuale, që në fakt përjashton mundësinë e majorizimit të shqiptarëve”, thekson BDI.
 

Kjo parti vlerëson se nuk e ka as edhe drojën më të vogël për përsëritjen e vitit 2006 sepse këtë nuk do ta lejojnë qytetarët shqiptar.

“Jemi të bindur se nuk do ta pranojnë as partitë politike Maqedonase të cilat u bindën se ky eksperiment dështoi dhe nuk guxon të përsëritet”, reagoi BDI.
 

“Ne nuk do votojmë nesër që ata të bien prej qeverie për të treguar përfundimisht se ne s`kemi ndërmend të bëhemi pjesë e kësaj qeverie”, ka qenë deklarata e djeshme e Thaçit, që provokoi sot reagimin e integristëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›