E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Ambasadorët diskutojnë për sanksione kundër Sirisë

Bashkimi Evropian ka njoftuar sot se ambasadorët e vendeve të bllokut do të diskutojnë për zbatimin e sanksioneve kundër Sirisë.

Majkël Men, zëdhënës i shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, tha se “të gjitha opsionet janë në tryezë”.

Ai ka dënuar goditjen e forcave të sigurisë së Sirisë kundër protestuesve anti-qeveri, duke thënë se është e “papranueshme të hapet zjarr kundër protestuesve”.

Gjermania sot ka theksuar se mbështet fuqishëm sanksionet e BE-së kundër Sirisë.

Britania tha se po punonte me Uashingtonin dhe se BE-ja duhet t`i dërgoj Sirisë “sinjal të fortë”, përfshirë edhe sanksionet.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, pritet që sot më vonë gjatë ditës të diskutoj për goditjen e protestuesve nga ana e forcave qeveritare të Sirisë.

Diplomatët kanë thënë se Kina dhe Rusia e kundërshtojnë çfarëdo lëvizjeje nga ana e Këshillit të Sigurimit për ta dënuar Sirinë.

Këshilli për të drejtat e njeriut i OKB-së, pasnesër, gjithashtu pritet të mbajë një sesion të veçantë, për përkeqësimin e situatës në Siri.

Gjatë gjashtë javëve të kaluara në Siri, thuhet se janë vrarë afro 400 vetë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›