E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Drejtësia për viktimat në Kosovë dhe përgjegjësia për autorët e krimeve s’janë çështje opsionale

PRISHTINË, 25 qershor /ATSH/ Hapja e arkivave shtetërore, ushtarake dhe policore të Serbisë mbetet thelbësore për zbardhjen e fatit të rreth 1560 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Kwshtu u tha në përmbyllen e projektit “Shpalosja e së Vërtetës: Luftimi i Gazetarisë Monoetnike dhe Avokimi për Personat e Zhdukur në Kosovë”.

Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rrëfimet e familjeve të personave të zhdukur nuk përfundojnë me mbylljen e projektit, pasi ato vazhdojnë të jetojnë me mungesën dhe pritjen për përgjigje.

Ajo theksoi se Serbia vazhdon të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mungesën e informacioneve lidhur me personat e zhdukur.

Zëvendësshefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, tha se mbështetja për drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin mbetet pjesë e angazhimit afatgjatë të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe rajon.

Ndërkohë, drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, tha se projekti ka përfshirë 80 intervista të realizuara në të gjithë Kosovën, me mbi 200 orë material të dokumentuar për familjet e personave të zhdukur.

Ajo tha se projekti kishte për synim dokumentimin e rrëfimeve të familjarëve dhe ruajtjen e kujtesës për personat e zhdukur, duke shkuar përtej mënyrës së zhdukjes së tyre dhe duke sjellë historitë e jetës së tyre për brezat e ardhshëm.

Projekti “Shpalosja e së Vërtetës: Luftimi i Gazetarisë Monoetnike dhe Avokimi për Personat e Zhdukur në Kosovë” është zbatuar nga BIRN Kosova dhe ACDC me mbështetjen e Bashkimit Evropian, me qëllim promovimin e së vërtetës, kujtesës, llogaridhënies dhe pajtimit në Kosovë.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›