Kurti: Kultura shqiptare pa Qosjen do të ishte më e varfër

PRISHTINË, 25 qershor /ATSH/ Si dëshmi kombëtare shqiptare e të gjitha kohërave u kujtua akademik Rexhep Qosja në ligjëratën kushtuar 90-vjetorit të lindjes së tij.
Në ligjërate morën pjesë kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku, profesorë, intelektualë, studentë e familjarë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se kultura shqiptare pa akademik Qosjen do të ishte më e varfër dhe pa një nga zërat më të guximshëm e më të thellë të mendimit kulturor e politik të Kosovës.
Akademik Qosja testamentin e kishte lënë qysh në vitin 2016 ku kishte kërkuar që nipi të kujdesej për varrosjen e tij. Kështu u tha në testamentin që e lexoi aktori, Avni Dalipi.
Qosja kishte thënë se varrimin donte të bënte vetëm me familjarë, pa fjalime e pa media dhe afër varrit të gruas së tij. Ndërsa studenti i tij, Ag Apolloni e konsideroi Qosjen si figurë unike të kombit shqiptar.
Akademik Rexhep Qosja vdiq më 23 prill 2026. /KosovaPress/