E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Jemi pranë arritjes së marrëveshjes së kredisë

Sipas komisionerit Rehn, gjithçka do të jetë gati në dy ditët e ardhshme

Bashkimi Europian ndodhet në prag të marrëveshjes në lidhje me detajet e planit financiar për Greqinë. Komisioneri për çështjet Ekonomike dhe Monetare, Olli Rehn, deklaroi se liderët janë në prag të përfundimit të marrëveshjes. Komentet e tij bëhen ndërsa tregjet europiane filluan që të pësojnë një ngritje të vogël pas dy ditësh, gjatë të cilave përjetuan një rënie të thellë, të shqetësuara nga vazhdimi i krizës greke. Euroja gjithashtu fitoi terren ndaj dollarit në tregun e aksioneve të disa kryeqyteteve europiane.

Sipas Rehn, Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë punuar shumë për të krijuar një paketë që pritet të ndryshojë situatën e rëndë të krizës financiare në Greqi, për shkak të shifrës shumë të lartë të deficitit buxhetor. Sipas zyrtarëve, është e rëndësishme që të krijohet kudo një atmosferë besimi dhe jo frike, në mënyrë që investitorët të rikthehen të punojnë dhe të trajtojnë me Greqinë, çka është një element vital i daljes së saj nga situata aktuale. “Kam besim se bisedimet do të përfundojnë në dy ditët e ardhshme”, ka deklaruar Rehn. Por, sipas tij, çdo lloj kredie që do të marrë Greqia, do të jetë me kushtin dhe parësinë kryesore për reduktimin e deficitit buxhetor përmes zbatimit të reformave strukturore. Ditët e fundit janë shtuar shumë shqetësimet në lidhje me pasojat e mëdha që mund të ketë një falimentim i Greqisë, pasi ky problem tashmë nuk ka të bëjë vetëm me fatin e një vendi, por edhe me fatin e vetë euros dhe shumë vendeve të Bashkimit Europian. Ndërkaq, në një intervistë të djeshme, ministri grek i Ekonomisë gjatë viteve 1994-2001 i bëri thirrje Europës që të vepronte shumë shpejt për të shpëtuar ekonominë e vendit të tij. Sipas tij, Greqia nuk duhet që të shndërrohet në një “Lehman Brother”, banka e madhe e Wall Street-it, që falimentoi në fund të vitit 2008, duke shkaktuar edhe fillimin e krizës së rëndë financiare që nisi në Shtetet e Bashkuara, por u shtri në të gjithë botën. Disa ekonomistë janë të shqetësuar se, nëse kriza e borxhit të Greqisë nuk do të përballohet menjëherë, atëherë edhe vende të tjera do ta kenë shumë të vështirë që të përballen me sasitë e mëdha të borxheve, ndërkohë që sa më shumë kohë kalon, aq më shumë humbasin besimin investitorët te bonot europiane. Këtë javë u shtuan shumë shqetësimet për përsëritjen e situatës së Greqisë edhe në dy vende të Bashkimit Europian, Spanjë dhe Portugali. Pikërisht shqetësimet për një krizë të tyre të shpejtë dhe të mundshme shënuan rënie të aksioneve në tregjet financiare. Në fakt, në lidhje me kushtet e paketës së kredisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe vendet e Eurozonës ka disa javë që po diskutojnë. Për shifrat e paketës ka variante të ndryshme. Fillimisht u mendua për 45 miliardë dollarë, por më pas u fol për rreth 150 miliardë të tjera, të cilat do të jepen në një hark kohor prej 3 vitesh. Greqia arriti në këtë pikë që t’i kërkojë para FMN-së dhe BE-së, pasi dyshimet e saj të njëpasnjëshme i frikësuan investitorët dhe ata prej kohësh nuk kanë dëshirë që të investojnë në këtë vend. Reputacioni i Greqisë si një shtet serioz është dëmtuar dhe do të duhet kohë para se ai të shihet si një ekonomi serioze dhe korrekte. Për sa i përket Gjermanisë, që është edhe ekonomia më e fuqishme në Europë dhe pritet që të japë edhe shumën më të madhe në kredinë e parashikuar, Merkel deklaroi dje se ndoshta Greqia nuk duhet të ishte lejuar që të hynte në Eurozonë dhe se ndoshta ai vendim nuk ishte shqyrtuar në të gjitha këndvështrimet e duhura para se të merrej. Ndërkaq, Kryeministri Papandreu e ka fajësuar Gjermaninë për vonesën në aprovimin e paketës financiare, duke thënë se “forca brenda politikës gjermane po tentojnë që ta nxjerrin Greqinë nga Euroja”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›