BE: Propozimi për liberalizimin e vizave, një gurëthemel për integrimin e Ballkanit
Zëdhënësja e ministres së Jashtme Evropiane, Maja Koçijançiç, tha sot për BBC-në se propozimi i Komisionit Evropian që Shqipërisë dhe Bosnjës t'i ofrohet regjim pa viza në vendet e Shengenit, është gurëthemeli i politikës së BE-së në Ballkanin Perëndimor. “Sipas pikëpamjes sonë kjo shënon një gurëthemel për politikat e integrimeve të Ballkanit Perëndimor dhe diçka shumë e rëndësishme, por gjithashtu është një hap konkret për njerëzit në rajon që ata ta ndjejnë se BE-ja është shumë serioze në përkushtimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe më saktësisht për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, tha më tej zyrtarja evropiane. Zëdhënësja e ministres së Jashtme Evropiane, Catherine Ashton, tha, megjithatë, se ngërçi politik në Shqipëri po dëmton afrimin e mëtejshëm të vendit me BE-në. Nga ana tjetër ajo tha se Kosova ishte pjesë e rëndësishme e perspektivës evropiane, megjithëse ajo ende nuk është përfshirë në planet e BE-së për regjimin pa viza. Koçijançiç inkurajoi udhëheqjen e Kosovës dhe Serbisë të kenë qasje "pragmatike të interesit të përbashkët" dhe tha se Konferenca e nivelit të lartë BE-Ballkan Perëndimor në Sarajevë javën e ardhshme do të nxisë nismat e bashkëpunimit.