BE: Raportet me Kosovën, kryesore për Serbinë
Kryetari i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompej deklaroi sot se në rrugën e saj për në BE, Serbia duhet në mënyrë të qëndrueshme te përmirësoje raportet me Kosovën.
Përmirësimi i qëndrueshëm dhe i dukshëm i marrëdhënieve me Kosovën mbetet kërkesa kryesore për hapin e ardhshëm të lëvizjes së negociatave për hyrjen e Serbisë në BE, tha sot Herman Van Rompej, pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçic në Bruksel.
Zyrtari i lartë i BE-së është shprehur i kënaqur që qeveria e Serbisë ka marrë vendim, i cili tashme do të mundësoje bashkëpunim rajonal frytdhënës, me pjesëmarrjen e të gjithëve në rajon.
Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë Serbi, per te cilin ka theksuar se të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani duhet të zbatohen, e veçanërisht marrëveshja për kalimet.
Van Rompje trajtoi edhe çështjen e veriut të Kosovës, duke theksuar se duhet të gjenden zgjidhje të reja për situatën e ndjeshme në veri të Kosovës, zgjidhje të cilat do ta përmirësojnë jetën e njerëzve të atjeshëm, tha ai dhe shtoi se e ftoj Beogradin dhe Prishtinën që në mënyrë konstruktive të angazhohen në dialogun, me shërbimet e vullnetit të mirë të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Daçic tha se Beogradi është i gatshëm ta vazhdoj dialogun me Prishtinën në rrafshin teknik dhe politik, në nivel shumë të lartë. (rel)