BE-SHBA, plan pune për të ulur palët në tryezë
Negociatat kanë dhënë efekt të menjëhershëm te Kryeministri Berisha, i cili deklaroi se do të shqyrtojë anulimin e manifestimit të programuar për të shtunën
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një tur intensiv negociatash, me pikësynim zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Plani i hartuar nga kancelaritë perëndimore, kishte si objektiv të parë të bindet kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, për të anuluar manifestimet respektive, të programuara për të premten dhe të shtunën. Një detyrë të tillë e ka marrë përsipër Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksander Arvizu. Ai është mbështetur sakaq edhe prej Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton. Ajo ka telefonuar paraditen e djeshme Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama, duke ju kërkuar të dyve të ulin tonet e të anulojnë manifestimet, për të mundësuar nisjen e një dialogu konstruktiv. Diplomati amerikan, Arvizu zhvilloi takime me dy palët, duke insistuar në këtë kërkesë ndërsa publikisht deklaroi gjatë takimit me Kryeprokuroren, Ina Rama, se shpreson që dy udhëheqësit kryesorë, kryeministri dhe udhëheqësi i opozitës, të marrin në konsideratë shtyrjen apo anulimin e mitingjeve të planifikuara për të premten dhe të shtunën. Negociatat kanë dhënë efekt të menjëhershëm te Kryeministri Berisha, i cili deklaroi se “do të shqyrtojmë mundësinë e anulimit për të shtunën, të atij takimi. Jemi duke e konsideruar këtë çështje, e cila është bërë edhe nga ambasadorë të tjerë dhe shumë shqiptarë, shumica nga diaspora”. Në krahun tjetër, kreu i opozitës deklaroi se nuk ka simetri midis dy protestave dhe se nuk pranon që të anulohet manifestimi homazh, i programuar për ditën e premte. Etapa tjetër e planit ndërkombëtar ka të bëjë me axhendën e takimeve të programuara nga mediatori, Miroslav Lajcak. I dërguari i Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, ka për qëllim që të bindë mazhorancën dhe opozitën që të ulin tonet e të pranojnë të nisin dialogun. Misioni i vështirë i Lajcak ka për synim të garantojë një takim mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama. Diçka e tillë duket shumë e vështirë të realizohet që në bisedimet e tij të para, por gjithçka synohet të përgatitet për në ditët e ardhshme. Paralelisht me këtë po punohet për të hartuar pikat e mundshme të një marrëveshjeje mes dy palëve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me objektiv zgjidhjen përfundimtare të krizës politike në Shqipëri. Opozita tanimë e ka të qartë kërkesën e saj për kalimin drejt zgjedhjeve të parakohshme, si e vetmja rrugë për zgjidhjen e kësaj krize, por diçka e tillë është kategorikisht e papranueshme nga mazhoranca, që e cilëson këtë kërkesë si vazhdim të skenarit puçist të grushtit të shtetit. Pasi është lajmëruar për mbërritjen në Tiranë të të dërguarit të Bashkimit Europian shefi i qeverisë shqiptare Sali Berisha ka anuluar udhëtimin e tij drejt Strasburgut ku do të merrte pjesë në diskutimet për raportin e Dick Marty mbi Kosovën dhe çështjen e trafikut të organeve. Negociatat dhe bisedimet midis ndërkombëtarëve dhe krerëve të politikës shqiptare do të jenë intensive në 48 orët përpara demonstratës së radhës së organizuar dhe paralajmëruar nga Partia Socialiste për ditën e premte. Sipas asaj çka është deklaruar ky tubim do të jetë paqësor ndaj objektivi i negociatave do të jetë edhe përtej demonstratës.