Lajčák, mediatori i BE mes Berishës dhe Ramës
Kryediplomatja europiane, Catherine Ashton, negociata në telefon me Berishën dhe Ramën. Sot mbërrin në Tiranë ndërmjetësi Miroslav Lajčák
Bashkimi Europian hyn zyrtarisht si ndërmjetës për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Sot mbërrin në Tiranë i dërguari special i kryediplomates evropiane, Catherine Ashton. Diplomati çek, Miroslav Lajčák, do të ketë si mision të zhvillojë bisedime direkte me kryeministrin Sali Berisha, kreun e opozitës Edi Rama, Presidentin Bamir Topi dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Lajmi konfirmohet nga zyra e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton. Kryediplomatja europiane mësohet se ka biseduar gjatë ditës së djeshme në telefon, si me Kryeministrin Sali Berisha, ashtu dhe me udhëheqësin e socialistëve, Edi Rama, përpara se të urdhëronte drejtorin menaxhues për Rusinë, Lindjen e Ballkanin, pozicion të cilin Lajčák e fitoi pak javë më parë, falë shërbimit të ri diplomatik të Bashkimit Europian. Diplomati sllovak vjen në Tiranë, me qëllimin për një angazhim konstant në përpjekje për pajtim mes palëve, në mënyrë që Shqipëria të vijojë reformat për integrimin europian. Për shkak të vizitës së Lajčák, Kryeministri Sali Berisha ka anuluar vizitën e programuar për të enjten në Strasburg, ku do të merrte pjesë në diskutimet për rezolutën e raportuesit Dick Marty për Kosovën. Miloslav Lajčák është 48 vjeç dhe ka lindur në Poprad të Sllovakisë dhe në 2006-n ka qenë mbikëqyrësi i BE-së, për referendumin e pavarësisë në Mal të Zi, ndërsa në 2007-n, ai ishte i dërguari i posaçëm i BE-së në Bosnje-Hercegovinë. Në vitet 2005-2007, ai ka mbajtur postin e drejtorit të çështjeve politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Bratislavë. Në dhjetor 2005-maj 2006, ai ka qenë përfaqësuesi special i Bashkimit Europian, për dialogun në Malin e Zi. Në vitet 2001-2005, ai ka shërbyer si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Sllovakisë në Republikën Federale të Jugosllavisë (më pas Serbi dhe Mali i Zi), Republikën e Shqipërisë dhe ish- republikën jugosllave të Maqedonisë. Në vitet 1998-2001, ai ka shërbyer si drejtor kabineti i ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë, ndërsa në vitet 1994-1998 ka qenë ambasador fuqiplotë i Sllovakisë në Japoni. Në vitet 1993-1994 ka shërbyer si: drejtor kabineti i ministrit të jashtëm sllovak, konsull në Ambasadën Sllovake në Athinë, drejtor kabineti i Kryeministrit të Sllovakisë. Në intervalin 1991-1993 Lajcek ka qenë sekretar në Ambasadën e Çekosllovakisë në Moskë, ndërsa në vitet 1988-1991 ka shërbyer në ministrinë e jashtme të Çekosllovakisë në Pragë.
CV
Kush është Miroslav Lajčák
- Aktualisht: Drejtor menaxhues për Rusinë, Lindjen dhe Ballkanin në BE
- 2005-2007 drejtor për çështjet politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Bratislavë
- Dhjetor 2005 –Maj 2006 përfaqësues i BE për dialogun në Malin e Zi
- 2001- 2005 ambasador fuqiplotë i Sllovakisë në Jugosllavi (më pas Serbi dhe Mali i Zi), Shqipëri dhe ish-republikën jugosllave të Maqedonisë
- 1998- 2001 Drejtor kabineti i ministrit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovakisë
- 1994- 1998 ambasador fuqiplotë i Sllovakisë në Republikën e Japonisë
- 1993- 1994 drejtor kabineti i ministrit në MPJ të Sllovakisë/ konsull i ambasadës Sllovake në Athinë/ drejtor kabineti i kryeministrit sllovak
- 1991 – 1993 sekretar në Ambasadën e Çekosllovakisë në Moskë (nga 1 janari 1993- Ambasada e Sllovakisë)
- 1988 – 1991 Ministria e Punëve të Jashtme të Çekosllovakisë në Pragë