BE: Shqetësim për Kodin e ri Penal, cenon të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe të medias

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar me shqetësim për Kodin e ri Penal, duke konfirmuar se nuk ka qenë pjesë e hartimit, ndërsa ka theksuar se po shqyrtohen projekt- ndryshimet e propozuara, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh.
“Jemi veçanërisht të shqetësuar për ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi i punës, të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Këto dispozita nuk janë në përputhje me standardet e BE-së dhe jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësim, këto shqetësime do të adresohen.”
Në reagim, BE thotë se vendi ynë duhet t’i japë përparësi ndryshimeve që synojnë përmbushje të standarteve evropiane.
“Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (p.sh. dekriminalizimi i shpifjes, rishikimi i kuadrit ligjor për trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, abuzimin me fëmijët, armët e zjarrit, pastrimin e parave). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.”
Më herët kryeministri Rama komentoi draftin e Kodit të ri Penal, që sipas tij do të konsultohet gjerësisht.
“Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!”, tha Rama.
Një përgjigje, Rama e kishte edhe për kritikët e draftit përfshirë shoqatat e gazetarëve për të cilat kërkoi ta studiojnë dhe ballafaqojnë më grupin e punës./vizionplus.tv