E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Shqipëria, progres në plotësimin e 12 prioriteteve

12-12-2012 / Gazeta 55

Komisioni Europian vlerësoi dje progresin e arritur dhe theksoi se është në pritje të japë lajmin e mirë për dhënien e statusit, sapo politika në Tiranë të miratojë 3 ligjet e fundit, të cilat janë bllokuar prej opozitës në parlament

Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou-Markoullis pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE bëri me dije konkluzionet mbi pritshmëritë lidhur me procesin e zgjerimit.
“Mirëpresim progresin e bërë nga Shqipëria për të plotësuar 12 prioritetet. Vlerësojmë rekomandimin për dhënien e statusit të vendit kandidat, e lidhur me funksionimin demokratik të institucioneve, zgjedhjet e 2013 janë të rëndësishme. Për dhënien e statusit ftojmë komisionin të vlerësojë progresin e bërë deri më tani nga Shqipëria”, vlerësoi ministrja e jashtme e Qipros, që mban dhe Presidencën e radhës së BE-së.  
Ndërkohë që sipas Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle mesazhet për Shqipërinë nga Këshilli vijnë krejtësisht të qarta, duke pasur në thelb pikërisht realizimin e kërkesave që do të mundësojnë marrjen e statusit.
“Mesazhet e Këshillit për Shqipërinë shumë të qarta. Njohja e punës së madhe të bërë deri tani. Por ka një inkurajim të palëve që të mbeten të angazhuar në plotësimin e reformave. Dyert e BE do të jenë të hapura me qëllim që palët të vijojë me momentin e reformave, me plotësimin e kërkesave. Në këtë rast u bëj apel politikanëve të vazhdojnë dialogun dhe të mos pengojnë axhendën europiane, duke e kthyer atë në funksion të interesave të tyre partiake”, vlerësoi Fyle, gjatë publikimit të konkluzioneve.
Por Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE listoi dhe konkluzionet për vendet e tjera që synojnë aderimin në këtë aleancë. Sipas Fyles, Turqi ka progres në disa fusha, por duhen negociata të besueshme Turqi-Qipro.
Një lajm pozitiv vjen për Maqedoninë. Fyle deklaroi se negociatat do të hapen në verën e 2013.
Ndërkohë që Serbia duhet të vijojë dialogun me Kosovën, duke normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Njëkohësisht, sipas Këshillit, Serbia duhet të përmbushë kriteret politike.
Një tjetër vend ishte dhe shteti i Kosovës, ku sipas Fyles, Këshilli ka lajme pozitive për të, pasi negociatat e MSA do të nisin pas fizibilitetit.
Ndërkohë më herët, ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian mbështetën progresin e arritur nga Shqipëria, por edhe sipas tyre mbeten për t’u plotësuar tre kushtet që kanë të bëjnë me Gjykatën e Lartë, statusin e nëpunësit civil dhe reformën parlamentare. Ministrja e Jashtme e Qipros është shprehur para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm në Bruksel se Shqipëria ka bërë hapa përpara.
Të njëjtën gjë ka thënë dhe ministri i jashtëm bullgar i cili pret një lajm të mirë për Shqipërinë.
Nga ana e tij ministri i jashtëm i Luksemburgut thotë se ka ndjekur me vëmendje reformën elektorale, dhe dialogu politik ka bërë hapa para, por për negociatat duhet një maturi politike më e madhe.
Austria ka përsëritur se është për hapjen e negociatave. Sipas të gjitha deklaratave dhënia e statusit është shumë pranë, kushtet mbesin por nuk e kushtëzojnë atë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›