BE e shqetësuar për rastin Timoshenko

Ish-presidenti i Polonisë, Aleksander Kvasnievski, dhe ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Pat Koks, kanë mbërritur në Ukrainë, në prag të gjykimit të ish-kryeministres Julia Timoshenko.
Dy zyrtarët janë caktuar si vëzhgues të procedurës. Vitin e kaluar, Timoshenko është dënuar me 7 vjet heqje lirie, me akuzën për “shpërdorim detyre”, por rasti i saj është parë si i motivuar politikisht.
Kryeministri i Ukrainës, Mikolla Azarov, ka mirëpritur emërimin e Kvasnievskit dhe Koksit, duke thënë se vendi i tij “është i hapur për monitorim të paanshëm”.
Apeli do të mbahet më 26 qershor. Rasti Timoshenko ka bërë që shumë diplomatë perëndimorë të bojkotojnë ndeshjet e Kampionatit Evropian të Futbollit, që luhen në Ukrainë.