BE gjobit Temu-n me 200 milionë euro për shitjen e produkteve të paligjshme

BRUKSEL, 28 maj /ATSH/ Platforma kineze e shitjeve online Temu është gjobitur me 200 milionë euro nga Bashkimi Europian për shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), pasi nuk mori masa të mjaftueshme për të ndaluar shitjen e produkteve të paligjshme dhe të pasigurta në platformën e saj.
Sipas rregullatorëve europianë të teknologjisë, hetimi zbuloi se Temu nuk kishte identifikuar dhe vlerësuar siç duhet rreziqet që lidhen me shitjen e mallrave të paligjshme, ndërsa sistemi i rekomandimeve dhe promovimeve në platformë kontribuonte në përhapjen e tyre.
Komisioni Europian i ka kërkuar kompanisë të paraqesë deri më 28 gusht një plan veprimi për përmbushjen e detyrimeve sipas DSA-së, në të kundërt mund të përballet me penalitete të tjera.
Temu e cilësoi gjobën “joproporcionale”, duke deklaruar se ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Hetimi ndaj Temu nisi pas ankesave të organizatave europiane të konsumatorëve dhe është një nga rastet më të mëdha të zbatimit të Aktit të Shërbimeve Digjitale ndaj platformave të mëdha online në BE.