E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëgjesa për Reformën Territoriale, kryebashkiakët e qarqeve Shkodër dhe Fier kërkojnë më shumë kompetenca dhe mbështetje financiare

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, nën bashkëdrejtimin e deputetit të mazhorancës Arbjan Mazniku dhe deputetit të opozitës Luçiano Boçi, zhvilloi sot seanca dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut Shkodër dhe Fier, ku në fokus ishin efektet e reformës territoriale dhe nevoja për shtim kompetencash për pushtetin vendor.

Kryetari i bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli u shpreh se “bashkia ka nevojë për më shumë kompetenca. Kompetencat që janë dhënë në reformën e vitit 2015 duhet të mbeten. Një sugjerim konkret është që pyjet dhe kullotat të mbeten kompetencë e bashkisë, pasi janë edhe sektorë që ndikojnë në rritjen e të ardhurave vendore”.

Kryetari i bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj vuri në dukje forcimin e kapaciteteve administrative.

“Shoqërimi i reformës në vitin 2015, me një paketë në favor të bashkive e bëri atë shumë efikase. Para reformës njësitë administrative kishin mungesë burimesh njerëzore, ndërsa më pas bashkia u forcua me staf të kualifikuar dhe u krijua mundësia për të mbuluar më mirë me shërbime sektorët si: pyjet, zjarrfikëset dhe shërbimet ndaj banorëve”, tha Marinaj.

Ai nënvizoi se bashkia ka nevojë për më shumë mbështetje financiare.

“Nëse do të kishin më shumë kompetenca për legalizimet, procesi do të ecte më shpejt”, tha Marinaj, teksa shtoi se bashkia e Malësisë së Madhe nuk e sheh të nevojshme një ndarje të re territoriale.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit, Hilë Curri theksoi nevojën për rritje të kompetencave dhe të ardhurave për pushtetin vendor.

“Kemi nevojë për më shumë kompetenca në mbulimin e territorit dhe në vendimmarrje. Bashkia e Fushë-Arrëzit nuk e sheh të arsyeshme të ndahet apo t’i bashkohet një bashkie tjetër”, deklaroi Curri. Ai vuri në dukje potencialin ekonomik të kësaj bashkie, veçanërisht në industrinë e përpunimit të drurit, duke shtuar se Fushë-Arrëzi ka kapacitet që në të ardhmen të arrijë vetëfinancim.

Seancat dëgjimore të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale po vijojnë me drejtuesit vendorë në të gjithë vendin, me qëllim evidentimin e nevojave për përmirësim të mëtejshëm të këtij procesi.

Ndërkaq, në dëgjesën me kryebashkiakët e qarkut Fier ishin të pranishëm kryetari i bashkisë Patos, Fation Duro, kryetarja e bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa, kryetari i bashkisë Divjakë Josif Gorrea, kryetarja e bashkisë Roskovec Majlinda Bufi dhe kryetari i bashkisë Mallakastër Qerim Ismailaj.

Kryebashkiakët folën për problemet me të cilat përballen çdo ditë ndërsa kërkuan mbështetje më të madhe dhe rritje të autonomisë vendore, duke e cilësuar këtë si të vetmen rrugë për të zgjidhur problematikat dhe sfidat specifike të bashkive që drejtojnë. Diskutimet gjatë mbledhjes u përqendruan në analizimin e mekanizmave që garantojnë rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, administrimin e territorit dhe konsolidimin e burimeve të qëndrueshme financiare.

Gjatë seancës dëgjimore anëtarët e komisionit nënvizuan se suksesi i këtij procesi varet nga projektimi i një reforme tërësore dhe funksionale që i përgjigjet kërkesave të qytetarëve të çdo qarku. Gjithashtu në seancat dëgjimore u shkëmbyen ide dhe propozime konkrete të cilat synojnë të rrisin pavarësinë e pushtetit vendor.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›