BE gjobit TikTok me 530 milionë euro: Transferoi të dhënat personale të përdoruesve në Kinë

Mbikëqyrësit e privatësisë të Bashkimit Evropian gjobitën TikTok me 530 milionë euro, për transferime të paligjshme të të dhënave personale nga Evropa në Kinë.
Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC) zbuloi të premten se TikTok kishte shkelur Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së (GDPR) dhe urdhëroi kompaninë të zbatonte ligjin brenda gjashtë muajve.
“TikTok dështoi të verifikojë, garantojë dhe demonstrojë se të dhënat personale të përdoruesve (evropianë), të aksesuara nga distanca nga stafi në Kinë, u është ofruar një nivel mbrojtjeje në thelb ekuivalent me atë të garantuar brenda BE-së”, tha Zëvendës Komisioneri Graham Doyle në një deklaratë.
TikTok tha se nuk ishte dakord me vendimin dhe planifikon të apelojë dhe deklaroi se nuk ka marrë kurrë një kërkesë nga autoritetet kineze për të aksesuar të dhënat e përdoruesve evropianë
Rregullatorët evropianë janë veçanërisht të shqetësuar nga lidhjet e dyshuara midis qeverisë kineze dhe pronarit të TikTok, kompanisë ByteDance me seli në Pekin. TikTok është nën shqyrtim në Evropë për mënyrën se si trajton informacionin personal të përdoruesve të saj, për shkak të shqetësimeve nga zyrtarët perëndimorë se kjo përbën një rrezik sigurie mbi të dhënat e përdoruesve të dërguara në Kinë.
Hetimi, i cili u hap në shtator 2021, zbuloi gjithashtu se politika e privatësisë së TikTok në atë kohë nuk përmendte vendet e treta, përfshirë Kinën, ku transferoheshin të dhënat e përdoruesve.
/rtsh.al/