BE hap negociatat për grup-kapitullin e tregut të brendshëm me Shqipërinë: Zgjerimi, thelbi i prioriteteve

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Takimi i katërt i Konferencës së anëtarësimit me Shqipërinë në nivel ministror u mbajt sot në Luksemburg.
Delegacioni i Bashkimit Evropian u kryesua nga Radosław Sikorski, ministër i Punëve të Jashtme, në emër të Presidencës polake të Këshillit të Bashkimit Evropian, me pjesëmarrjen e Komisioneres për Zgjerim Marta Kos. Delegacioni shqiptar kryesohej nga Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski, në emër të Presidencës polake të Këshillit të Bashkimit Evropian u shpreh se, “sot mbajtëm Konferencën e parë Ndërqeveritare me një nga vendet kandidate nën presidencën polake. Zgjerimi i BE-së mbetet në thelb të prioriteteve tona. Ky progres konkret pasqyron angazhimin tonë të fortë ndaj partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, një rajon ky që është kyç për stabilitetin dhe sigurinë e Bashkimit Evropian”.
Takimi shërbeu për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grup kapitullin 2: Tregu i brendshëm, duke përfshirë kapitujt e mëposhtëm negociues:
Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave,
Kapitulli 2 – Liria e lëvizjes së punëtorëve,
Kapitulli 3 – E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime,
Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit,
Kapitulli 6 – E drejta për shoqëritë tregtare,
Kapitulli 7 – E drejta e pronësisë intelektuale,
Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës,
Kapitulli 9 – Shërbimet financiare,
Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit
BE-ja vendosi gjithashtu standarde për mbylljen e përkohshme të këtyre kapitujve.
Kjo pason hapjen e grupit të parë mbi ‘Themeloret’ dhe të grupit të gjashtë për ‘Marrëdhëniet e jashtme’ në Konferencat e Anëtarësimit me Shqipërinë të mbajtura përkatësisht më 15 tetor dhe 17 dhjetor 2024.
Monitorimi i progresit në përafrimin dhe zbatimin e acquis të BE-së dhe standardeve përkatëse evropiane do të vazhdojë gjatë gjithë negociatave.
Konferenca e anëtarësimit do të kthehet në këtë grup në një moment të përshtatshëm.
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt e negociatave ndahen në gjashtë grupime tematike:
Themeloret
Tregu i brendshëm
Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse
Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme
Burimet, bujqësia dhe kohezioni
Marrëdhëniet e jashtme
Negociatat për grupin Themeloret janë të parat që hapen dhe të fundit që mbyllen, dhe progresi nën këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. /j.p/