BE i premton 520 mln euro Malit
Bashkimi Europian pritet t`i japë 520 milionë euro ndihmë për rindërtimin e Malit, në një konferencë me donatorë ndërkombëtarë në Bruksel që do të mbahet sot.
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, tha se paratë do të ndihmonin shtetin afrikano-perëndimor të kthente stabilitetin, demokracine dhe prosperitetin.
Konferenca është e para, që kur Franca dërgoi trupat e saj për të zmbrapsur rebelët islamik nga veriu i Malit, në shkurt. Qeveria e Malit ka një plan prej 4,3 miliard eurosh për një rilindje totale të vendit.
Ai përfshin rindërtimin e institucioneve qeveritare dhe ushtrisë, riparimin e infrastrukturës së shkatërruar, organizimin e zgjedhjeve presidenciale, dialogun me grupet rebele në veri dhe stimulimin e ekonomisë.
Pas takimit me shefin e KE-së në Bruksel, të martën, presidenti i përkohshëm i Malit, Dioncounda Traore, tha se shpresonte që ndihma prej 2 miliardë eurosh do të rritej edhe më tepër në konferencën e donatorëve.
Për Barroso-n, ndihma do të sjellë përfitime për Europën, ashtu si dhe për Afrikën. Mbështetja e komunitetit ndërkombëtar është esenciale për të ndërtuar një Mali të stabilizuar, demokratik dhe të begatë, shtoi ai. Por, aktorët kryesorë në këtë tranzicion janë vet malianët dhe qeveria e tyre.