E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE-ja heq tarifat mbi mallrat amerikane, zhbllokohen tarifat për automjetet evropiane

Komisioni Evropian ka zyrtarizuar propozimin legjislativ për të hequr tarifat mbi mallrat industriale amerikane. Ky veprim është bërë në përputhje me një marrëveshje të arritur me SHBA-në, duke lejuar kthimin në fuqi me efekt prapaveprues, që nga 1 gushti, të një kufiri prej 15% të tarifave amerikane mbi makinat dhe pjesët e makinave evropiane.

Këto propozime, të cilat ndjekin Deklaratën e Përbashkët BE-SHBA të datës 21 gusht 2025, synojnë të rivendosin stabilitetin në marrëdhëniet tregtare midis dy palëve. “Këto propozime përfaqësojnë hapat e parë drejt një zbatimi të tillë dhe garantojnë përjashtime nga tarifat e SHBA-së për sektorin jetësor të automobilave të BE-së, me efekt prapaveprues nga 1 gushti”, shpjegoi Brukseli.

Marrëveshja u arrit pas Samitit Turnberry në Skoci midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Propozimet e Komisionit përfshijnë:

Eliminimin e tarifave mbi një gamë të gjerë të produkteve industriale amerikane.

Lehtësimin e aksesit preferencial në tregun evropian për disa produkte bujqësore dhe peshkimi jo-të ndjeshme amerikane.

Zgjatjen e trajtimit pa taksa për karavidhen, duke përfshirë edhe karavidhen e përpunuar.

Përpara se këto ndryshime të hyjnë plotësisht në fuqi, ato duhet të miratohen nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian. Megjithatë, ulja e tarifave amerikane për automjetet evropiane tashmë ka hyrë në fuqi me efekt prapaveprues nga fillimi i gushtit, siç ishte rënë dakord.

Brukseli deklaroi se do të vazhdojë të punojë me Shtetet e Bashkuara për të reduktuar më tej tarifat, me synimin për të arritur një marrëveshje tregtare reciproke, të drejtë dhe të ekuilibruar në të ardhmen.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›