Kryetarja e Kuvendit, Spiropali viziton Shkodrën dhe Malësinë e Madhe: Projektet e reja dhe vijimi i investimeve për zhvillimin e këtyre zonave

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, zhvilloi të enjten një vizitë në veri të vendit, ku takoi kryetarët e bashkive të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe. Fokusi i bisedimeve ishin projektet e reja dhe vijimi i investimeve për zhvillimin e këtyre zonave.
Gjatë takimit në Shkodër, Spiropali u takua me kryetarin e bashkisë, Benet Beci. Në një postim në rrjetet sociale, kryeparlamentarja shkroi se me Becin diskutuan “projektet e reja për Shkodrën kryezonjë, qytetin dhe njerëzit që i kanë dhe i meritojnë të gjitha të mirat.”
Më pas, Spiropali vizitoi Malësinë e Madhe, ku u takua me kryetarin e bashkisë, Tonin Marinaj. Ajo theksoi se diskutimet u përqendruan te projektet e shumta të përfunduara dhe te nevoja për të vijuar mbështetjen e investimeve. Ajo shtoi se është e rëndësishme që të forcohen komunitetet lokale dhe të modernizohen shërbimet publike e infrastruktura, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Gjithmonë kënaqësi vizitat në Malësi të Madhe. Me kryetarin e bashkisë, Tonin Marinaj diskutuam për projektet e shumta të përfunduara, si dhe nevojën për të vijuar mbështetjen e investimeve, fuqizimin e komuniteteve lokale dhe modernizimin e shërbimeve publike e infrastrukturës, për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, shkruajti Spiropali.
Këto vizita vijnë në një kohë kur qeveria po përqendrohet në zhvillimin e zonave veriore të vendit, duke synuar tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike.
/rtsh.al/