BE-ja përkrah zhvillimin e komunave

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, të enjten ka vizituar Ferizajn, ku ka takuar drejtuesit e pushtetit lokal, të cilët edhe kanë falënderuar këtë mision për mbështetjen që po u jep në jetësimin e disa projekteve kapitale për këtë komunë.
Me këtë rast, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka theksuar se Komuna e Ferizajt, i është mirënjohëse Bashkimit Evropian për projektet që po i realizon në këtë komunë.
“Unë dua të falënderoj zotin Zhbogar dhe misionin e Bashkimit Evropian në Kosovës, për mbështetjen e projekteve që ne i kishim për qëllim t’i realizojmë në Komunën e Ferizajt, siç është projekti i mbështetjes së stadiumit të qytetit, projekti i ndërtimit apo renovimi i tri shkollave të mesme në Ferizaj si dhe projekte të shumta që kanë të bëjnë me fushën e turizmit, por në mënyrë të veçantë edhe projekti i restaurimit të dy mullinjve si dhe projekti i Bifurkacionit të lumit Nerodime, i cili ka qenë mbështetje e Komisionit Evropian”, ka thënë Aliu, duke shtuar se Bashkimi Evropian nuk është ndalur vetëm me kaq, por vazhdon ta mbështes komunën tonë edhe me projekte të tjera, transmeton express.
“Kemi mbështetje për ndërtimin e çerdhes së qytetit të Ferizajt, projekt ky i mirëseardhur dhe mua me vjen mirë që para qytetarëve të Ferizajt, të prezantojmë edhe këtë projekt të ri të ndërtimit të çerdhes për qytetarët, kur dihet fakti se qyteti i Ferizaj, ka pasur jashtëzakonisht pak kapacitete për t’u shërbyer qytetarëve respektivisht që fëmijët me ambientet të tilla”, është shprehur Aliu.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Samuell Zhbogar, ka thënë se Bashkimi Evropian ka vetëm një agjendë për Republikën e Kosovës, e ajo është që të ndihmojë Kosovën në mënyrë që të afrohet më afër Evropës. “Por e gjithë ajo që bëjmë është që t’i ndihmojmë Kosovës dhe popullit të Kosovës që të kenë jetë më të mirë. Sot patëm një bisede shumë komplete duku i adresuar vizionet e ardhshme të zhvillimit ekonomik në Ferizajt”, ka thënë Zhbogar, ndërsa ka shtuar se fusha e bujqësisë është njëra ndër sektorët që ka Kosova si potencial të saj.
“Definitivisht fusha e bujqësisë është një prej sektorëve që Kosova ka potencial që të ofrojë ndihmë, po ashtu edhe turizmi është njëri prej sektorëve që ka potencial, ku ne do të ofrojmë ndihmë këtij sektori. Me vjen shumë mirë që Kryetari i Komunës na njoftoj për ato veprime plotësuese që po bënë komuna për zhvillimin e biznesit të komunitetit. E çmoj shumë këtë fakt, sepse kjo neve na ndihmon, për shkak se ne duhet t’i dimë se ku duhet të orientohemi në të ardhmen për t’u qasur në to”, tha Zhbogar.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Samuel Zhbogar, ka thënë se projektet që po realizohen në Komunën e Ferizajt, Bashkimi Evropian i sheh si një kualitet të mirë dhe garanci për të ardhmen, në mënyrë që të ketë një partneritet edhe në të ardhmen në të mirë të zhvillimit.
Ndryshe, përfaqësuesi i lartë të Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar ka vizituar edhe Bifurkacionin e lumit Nerodime, i cili aktualisht ndodhet në fazën e rehabilitimit të tij në mbështetje të BE-së./Indeksonline/