E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kunder duhanpirjes

Bashkimi Europian ka propozuar një ndalim të plotë për reklamat e duhanit, duke thënë se në paketa duhet të reklamohet dëmi që vjen nga duhanpirja.
Nëse ky propozim do të aprovohet nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe nga Parlamenti Europian, 75 për qind të paketave do të mbulohen me pamje dhe fraza paralajmëruese.
Qeveritë e BE-së do të kenë edhe më shumë pushtet duke pasur mundësinë të ndalojnë prodhimin e duhanit, nëse justifikohet se është i dëmshëm për shëndetin publik. Britania e madhe dhe Franca janë të parat që po e marrin në konsideratë një vendim të tillë. Propozimet nga Komisioni Europian do të ndalojnë gjithashtu dhe prodhimin e cigareve të holla dhe atyre me shije mente për të cilat ekspertët mendojnë se tërheqin duhanpirës të rinj.
Sipas të dhënave të Bashkimit Europian duhani është një nga shkaqet kryesore për numrin e madh të vdekjeve të parakohshme që shkaktojnë 700 mijë viktima në vit.
Shitja e cigareve në 27 vendet e BE-së kanë rënë në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit, rreth 33 për qind. Por Europa ka ende një numër të madh duhanpirësish se cdo rajon tjetër në botë, sipas të dhënave më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›