BE në fazë të hershme diskutimesh për raportin e standardeve, Këshilli: Çdo parashikim është spekulim

Këshilli i Bashkimit Europian ka përjashtuar çdo spekulim që mund të bëhet në këtë moment mbi miratimin ose jo të Raportit të Komisionit Europian për vlerësimin e përkohshëm të standardeve për Shqipërinë. Në përgjigje të interesimit të televizionit publik, ndërsa ka bërë të ditur mbajtjen e takimit të radhës së COELA-s, zëdhënësi i Këshillit për Çështje të Përgjithshme, Dimostenis Mamonas, konfirmoi se dokumenti është ende në diskutim në grupet e punës. Faza aktuale lidhet me hartimin e bazës për draftin e ardhshëm të qëndrimit të përbashkët të përkohshëm të BE-së me shtetet anëtare që bëjnë pyetje dhe Komisionin Evropian që përgjigjet.
“Diskutimet janë ende duke vazhduar në Grupin e Punës të COELA-s, me shtetet anëtare që bëjnë pyetje dhe Komisionin që përgjigjet. Raundi i ardhshëm i shkëmbimeve është planifikuar për këtë të premte, 20 mars, dhe më shumë do të pasojnë në javët në vijim”, thuhet në përgjigjen e Mamonas.
Përmes zëdhënësit, Këshilli për çështjet e Përgjithshme një afat kohor tregues për arritjen e një marrëveshjeje mbi këtë Qëndrim të Përbashkët mund të ndodhë brenda disa javëve.
“Është ende shumë herët për të thënë në këtë fazë mjaft paraprake të diskutimeve. Presidenca e Këshillit pritet të paraqesë një tekst për një draft të vlerësimit të përkohshëm në javët në vijim, por nuk jemi ende atje pasi shkëmbimet e pikëpamjeve janë ende duke vazhduar brenda Grupit të Punës”, theksohet në reagim.
Duke i qëndruar asaj që e ka quajtur fazë e hershme e shkëmbimeve për këtë çështje, Mamonas është distancuar edhe nga një parashikim për natyrën dhe fushëveprimin e standardeve përmbyllëse që pritet të vendosen në fushën e Sundimit të Ligjit.
“Kjo është një pyetje e pamundur për t’u përgjigjur, çdo supozim nga ana jonë do të ishte thjesht spekulativ në këtë fazë të hershme të shkëmbimeve, siç është shpjeguar më sipër”, thotë Mamonas.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/