E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi në BE, Gonzato takon Lamallarin: Shqipëria ka bërë progres, por duhen përpjekje të mëtejshme. Progresi i qëndrueshëm, thelbësor

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u takua sot me Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari. Në fokus të diskutimeve ishte ecuria e Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në BE.

Në një postim në rrjetet sociale, delegacioni i BE-së në Shqipëri shkruan se vendi ynë ka bërë progres të mirë, por theksohet se duhet të intensifikojë përpjekjet në disa fusha kyçe, mes të cilave edhe lufta kundër krimit të rëndë dhe atij të organizuar.

“Shqipëria ka bërë progres të mirë në procesin e negociatave, por duhet të vijojë përpjekjet në luftën kundër krimit të rëndë dhe atij të organizuar, në profesionalizimin e Policisë së Shtetit, si dhe në zhvillimin e një politike migracioni që është efektive dhe që mbron grupet e cenueshme, veçanërisht fëmijët e pashoqëruar ose të ndarë nga familjet e tyre”, shkruhet në postim.

Po ashtu, theksohet vijimi i mbështetjes së BE ndaj vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit.

“Progresi i qëndrueshëm, i shoqëruar me rezultate konkrete, është thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. BE-ja do të vijojë të mbështesë Shqipërinë për arritjen e këtyre standardeve”, shkruhet në postim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›