E Diel, 1 Nëntor 2026

BE përgatitet të “luftojë” migracionin masiv, propozon trefishimin e trupave për menaxhimin e migrimit

Bashkimi Evropian po përgatitet të forcojë ndjeshëm kontrollin e kufijve të jashtëm, duke propozuar pothuajse trefishimin e forcave të Frontex-it dhe zgjerimin e kompetencave të agjencisë për të menaxhuar flukset migratore dhe riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.

Komisioni Evropian ka propozuar që trupa e përhershme e Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare të arrijë në 30 mijë efektivë gjatë viteve të ardhshme, nga objektivi aktual prej 10 mijë efektivësh që ishte parashikuar të realizohej deri në vitin 2027.

Nisma vjen pas krizës së rëndë migratore në enklavën spanjolle të Ceutës, ku sipas të dhënave të raportuara, rreth 80 mijë persona kaluan kufirin nga Maroku drejt territorit spanjoll gjatë një periudhe të shkurtër në korrik. Kriza u shoqërua me pasoja tragjike, me të paktën 140 viktima të raportuara.

Një nga ndryshimet kryesore që propozon Brukseli është krijimi i një force të posaçme reagimi të shpejtë, e aftë të dislokohet në kufijtë e një shteti anëtar brenda 24 orëve nga shpërthimi i një krize migratore.
Paralelisht, Komisioni kërkon t’i japë Frontex-it kompetenca më të gjera në organizimin e operacioneve të riatdhesimit. Sipas propozimit, agjencia mund të koordinojë kthimin e emigrantëve edhe nga një shtet jashtë Bashkimit Evropian drejt një vendi tjetër jashtë bllokut, në rastet kur ekzistojnë marrëveshjet përkatëse

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›