E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE po planifikon futjen e vizave për vendet e Ballkanit

Gjermania ka disa muaj që po ngul këmbë për pezullimin e lëvizjes së lirë pa viza në vendet e Shengenit për qytetarët e Serbisë dhe të Maqedonisë dhe tani po merr edhe mbështetjen e BE-së për këtë.

Shtetet e BE-së së shpejti mund të kërkojnë përsëri viza për qytetarët që vijnë nga vendet e Ballkanit, shkruan Dojçevelle. Komisioni përgjegjës i Parlamentit Evropian votoi në Bruksel pro idesë që vendet e BE-së mund ta pezullojnë për një kohë të kufizuar të drejtën e udhëtimit pa viza për qytetarët e vendeve të caktuara që nuk janë anëtare të BE-së, p.sh. Serbia apo Maqedonia.

Për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit komunat gjermane kanë kërkuar rifutjen e detyrimit të vizave dhe përshpejtimin e procedurave të azilit. Vetëm në janar të këtij viti në Gjermani kërkuan azil 7.000 vetë. Kjo qe një rritje me rreth 50 për qind më shumë se muajin e kaluar dhe rreth 60 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich kërkoi për këtë shkak një ndryshim të rregullit për vizat në nivelin e BE-së.

Për shkak të numrit në rritje të azilkërkuesve gjashtë shtete anëtare, ndër to dhe Franca e Gjermania, kanë kërkuar nga BE-ja që të miratojë një klauzolë për rastet e jashtëzakonshme, e cila mundëson pezullimin për një kohë të kufizuar të së drejtës së udhëtimit pa viza. Parlamenti i BE-së, Komisioni i BE-së dhe Këshilli ka disa muaj që po diskutojnë për këtë dhe tani pritet që rregullat e BE-së të plotësohen shtuar me këtë klauzolë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›