E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhyl Mahmuti: Menduh, shporru se e qelbe hapësirën kombëtare!

Deklarata e Menduh Thaçit se “nuk ka ofruar dorëheqje sepse këtë e kanë kërkuar prej tij plehu i kombit, siç është Rufi Osmani, Bardhyl Mahmuti, Imer Selmani, Ali Ahmeti, Alajdin Demiri”, më obligon të sqaroj opinionin publik me sa vijon:

“Unë, Bardhyl Mahmuti, nuk kam kërkuar dorëheqjen e Menduh Thaçit nga PDSH-ja, as në kohën kur ky qyqar, së bashku me pushtetin e Shkupit, iu vërsul Malësisë së Tetovës dhe shkaktoi Masakrën e Brodecit;

Unë, Bardhyl Mahmuti, nuk kam kërkuar dorëheqjen e këtij hajduti nga PDSH-ja as në kohën kur orkestronte plaçkitjen e asaj pak pasurie të shqiptarëve që mbetej pa u plaçkitur nga pushteti i Shkupit;

Unë, Bardhyl Mahmuti, nuk kam kërkuar dorëheqjen e tij nga PDSH-ja as kur kjo pjellë e Rankoviqit u bë bashkë me klanin sërbo rus për të penguar njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, transmeton AlsatM.

Unë nuk kam kërkuar dorëheqjen e Menduh Thaçit nga PDSH-ja as në vitin 2008 kur me ndihmën e pushtetit maqedonas organizoi "Kasap-hanen elektorale", gjatë të cilës u vranë dhe u plagosën shqiptarë dhe u përdhunua vullneti politik i popullit shqiptar;

Unë, nuk kam kërkuar dorëheqjen e Menduh Thaçit nga PDSH-ja as tani kur nuk i mjaftuan votat e maqedonasve, romëve, hashkalive dhe turqve për të udhehequr komunat shqiptare.

Unë, nuk kam kërkuar dorëheqje sepse nuk kam të drejtë të kërkoj dorëheqjen e tij nga PDSH-ja, nga prona e tij private. Ajo u takon pronarëve dhe aksionarëve të PDSH-së të vendosin se cilin do ta venë në krye!

Unë kam kërkuar dhe do të kërkoj prej atyre që dëgjojnë mendimin tim që të votojnë kundër opsionit të tij antishqiptar.

Është e vërtet se për implikimin e drejtpërdrejt në krimet antishqiptare unë kam kërkuar nga Menduh Thaçi te largohet nga skena politike kombëtare.

Ndërsa, sa u përket sintagmave si ‘plehu i kombit’, ‘tradhtar’ dhe të çdo gjëje të ndytë dhe antikombëtare që ka fjalori i gjuhës shqipe, mjafton të nxjerr fotografinë e Menduh Thaçit dhe të bëhet e qartë se ai është sinonim i të gjithave bashkë!”, thuhet në reagimin e Bardhy Mahmutit./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›