E Enjte, 5 Nëntor 2026

BE pret nga Serbia që të mbështesë sanksionet ndaj Rusisë

Bashkimi Evropian ka ripërsëritur thirrjen ndaj të gjitha shteteve kandidate, përfshirë edhe Serbinë, që të përshtaten me vendimet e bllokut sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Zgjerimit, Ana Pisonero, tha të hënën se “nga vendet kandidate, siç është Serbia” presin që “t’u bashkohen qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se në rastin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, nga të gjitha vendet partnere dhe mike të bllokut evropian, presin që të mbështesin sanksionet.

“Mendoj se kjo vlen për të gjithë miqtë, fqinjët dhe vendet partnere. Ne besojmë se jemi në moment historik dhe është koha që të merren hapa. Kërkojmë nga të gjithë që të aplikohen sanksione në mënyrë të koordinuar”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth qëndrimeve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, të cilat nuk kanë mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

Në mesin e shteteve që nuk kanë mbështetur sanksionet janë Serbia, Bjellorusia, por edhe Zvicra.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti i tij mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës, por Beogradi nuk do të ndjekë shembullin e BE-së për të sanksionuar Moskën.

Bashkimi Evropian ka vendosur një sërë runde të sanksioneve ndaj Rusisë dhe bizneseve ruse, pasi Moska më 24 shkurt nisi pushtimin e Ukrainës.

Ndërkohë, në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel nuk kanë dhënë përgjigje të qartë as në pyetjen sesa është reale që Ukraina të bëhet vend kandidat për anëtarësim në BE dhe se çfarë ka nënkuptuar presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, kur ka thënë se “Ukraina e ka vendin në BE”.

Mamer tha se presidentja e KE-së ka shprehur mendimin e saj, por edhe ka rikujtuar se ekzistojnë procedura që duhet të ndiqen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›