BE propozon pezullimin e aksesit izraelit në fondet e kërkimit; Izraeli: E papranueshme

Komisioni Evropian ka propozuar pezullimin pjesërisht të qasjes së Izraelit në programin e financimit të hulumtimit ‘Horizon’, pas thirrjeve nga qeveritë e BE-së për të rritur presionin ndaj Izraelit mbi situatën humanitare në Gazë.
“Ndërsa Izraeli ka njoftuar një pauzë të përditshme humanitare në luftën kundër Gazës … situata mbetet e rëndë”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë.
Brukseli shpjegon se propozimi nënkupton ndalimin e qasjes në fonde për Izraelin në fusha si teknologjitë e dronëve, sigurinë në internet dhe inteligjenca artificiale. Vitin e kaluar, Izraeli ishte në tre vendet e para për numrin e kompanive që garonin për fonde, së bashku me Gjermaninë dhe Francën.
Propozimi do të diskutohet nga 27 vendet e BE-së ditën e martë dhe do të ketë nevojë për miratimin e shumicës së vendeve anëtare për të hyrë në fuqi.
Duke iu përgjigjur kësaj lëvizje, Ministria e Jashtme e quan rekomandimin “të gabuar, për keqardhje dhe të pajustifikuar. ”
“Në një kohë kur Izraeli po lufton terrorizmin e Hamasit, çdo vendim i tillë shërben vetëm për forcimin e Hamasit dhe për këtë arsye minon shanset për të arritur një armëpushim dhe një kornizë për lirimin e pengjeve. Izraeli do të punojë për të siguruar që ky rekomandim të mos miratohet nga Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së, dhe shpresojmë se me të vërtetë do të ndodhë. Sido që të jetë, Izraeli nuk do t’i nënshtrohet presionit kur bëhet fjalë për interesat e tij kombëtare”, tha Ministria e Jashtme.
/rtsh.al/