Netanjahu: Po ofrojmë ndihmë humanitare në Gazë por Hamasi është pengesa kryesore

Në një deklaratë në gjuhën angleze, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se Izraeli “do të vazhdojë të punojë me agjencitë ndërkombëtare, si dhe vendet amerikane dhe evropiane për të siguruar sasi të mëdha të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. ”
Zyra e Netanjahut argumenton se tashmë Izraeli po lejon sasi të konsiderueshme të ushqimit, ujit dhe mjekësisë në Gazë. Ndërsa shton se Hamasi vjedh ndihmë nga Gazanët, madje edhe duke i qëlluar ata.
“Ndërsa situata në Gaza është e vështirë dhe Izraeli ka punuar për të siguruar ofrimin e ndihmës. Hamas përfiton nga përpjekja për të nxitur perceptimin e një krize humanitare. Ne do të vazhdojmë të veprojmë me përgjegjësi, siç kemi bërë gjithmonë, dhe do të vazhdojmë të kërkojmë kthimin e pengjeve dhe disfatën e Hamasit. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar paqen për izraelitët dhe palestinezët”, theksohet në deklaratën e zyrës së shtypit të Netanyahut.
Ndërkaq nga ana tjetër presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se përparësia kryesore në Gaza është furnizimi me ushqim për popullatën, duke theksuar se “ka shumë njerëz që po vdesin nga uria”.
Ai bëri thirrje për rritjen e ndihmës ndërkombëtare humanitare, ndërsa SHBA, sipas tij, ka dhënë tashmë 60 milionë dollarë ndihmë.
Gjatë një deklarate për shtyp në Skoci, përkrah kryeministrit britanik Keir Starmer, Trump theksoi rëndësinë e ofrimit të ndihmës dhe tha se vendet evropiane duhet të kontribuojnë më shumë, duke përmendur edhe bisedimet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Starmer e quajti situatën në Gaza një “katastrofë absolute humanitare” dhe tha se opinioni publik në Britani është i tronditur nga ajo që po ndodh.
/rtsh.al/