E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BE shqyrton mënyrat se si do të rrisë prodhimin e municioneve për Ukrainën

Bashkimi Evropian duhet të gjejë mënyra për t’i ofruar shpejt Ukrainës mijëra predha artilerie ose të përballet me mundësinë e humbjes së luftës kundër Rusisë, paralajmëruan të hënën diplomatët e lartë të BE-së, ndërsa rezervat e municioneve në armatimet kombëtare të BE-së po pakësohen.

“Çështja më e rëndësishme, më e ngutshme sot për ushtrinë ukrainase është të ketë një fluks të vazhdueshëm municionesh,”- tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përpara se të kryesonte një takim të ministrave të jashtëm të bllokut. 

“Nëse dështojmë në këtë, me të vërtetë, rezultati i luftës është në rrezik.”

Borrell tha se forcat ruse qëllojnë rreth 50,000 fishekë artilerie çdo ditë dhe se furnizimet e Ukrainës duhet të ngrihen në të njëjtin nivel. 

Vlerësime të tjera sugjerojnë se Ukraina po gjuan deri në 6,000-7,000 predha artilerie në ditë, rreth një e treta e totalit të Rusisë një vit pas luftës.

Më të kërkuarit, nënvizoi Borrell, janë fishekët e artilerisë 155 mm.

Debati midis ministrave u fokusua në mënyrat për të bërë blerje të përbashkëta municionesh dhe përdorimin e një fondi të posaçëm të BE-së për të siguruar financime shtesë. 

Megjithatë, industria e mbrojtjes kërkon urdhra solide, afatgjata për të ngritur dhe zgjeruar linjat e saj të prodhimit dhe nuk mund të rrisë furnizimet brenda natës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›