E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BE tenton ta sekuestrojë, superjahti i oligarkut rus shfaqet në mënyrë ‘misterioze’ në Hong Kong

Teksa BE e ka bërë pjesë të sanksioneve dhe është në përpjekje për ta konfiskuar, megajahti i oligarkut rus është shfaqur në mënyrë ‘misterioze’ në Hong Kong.

Megajahti ‘Nord’, 142 metra i gjatë, një nga më të mëdhenjtë në botë, u pa të premten në ujërat e Hong Kongut, vetëm disa minuta nga rrethi qendror i qytetit. Anija vlerësohet të jetë me vlerë të paktën 500 milionë dollarë dhe besohet gjerësisht se i përket Alexey Mordashov, një miliarder industrial rus i sanksionuar nga Perëndimi.

Jahti mbërriti në Hong Kong më 5 tetor nga porti rus i Vladivostok, sipas Departamentit Detar të qytetit kinez. Nord u pa duke valëvitur një flamur rus, me emrin e bazës së tij, “Vladivostok”, të skalitur në skajin e tij, ndërsa në kuvertën e tij kishte anëtarë të ekuipazhit.

Oligarku rus, Mordashov është një nga miliarderët më të pasur të Rusisë, me një vlerë neto të vlerësuar prej 18.7 miliardë dollarë. Departamenti i Shtetit i SHBA-së e sanksionoi atë dhe kompanitë e tij në qershor.

Disa superjahte të lidhura me biznesmenë rusë janë sekuestruar këtë vit në raste të profilit të lartë në mbarë botën, përfshirë në Spanjë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›