E Enjte, 5 Nëntor 2026

BEJRUT – Baerbock diskuton konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut

BEJRUT, 25 qershor /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock ka mbërritur në Liban për te diskutuar krizën e shkaktuar nga përshkallëzimi i konfliktit midis Izraelit dhe milicisë pro-iraniane të Hezbollahut.

Baerbock do të zhvillojë sot një takim me kryeministrin në detyrë Najib Mikati në Bejrut.

Përpara se të kthehet në Berlin, Baerbock ka planifikuar një takim me ministrin e Jashtëm në detyrë të Libanit, Abdallah Bou Habib.

Në konferencën e sigurisë në Herzliya pranë Tel Avivit të hënën në mbrëmje, Baerbock kërkoi një tërheqje të plotë dhe të verifikueshme të milicisë shiite nga zona kufitare midis Libanit dhe Izraelit.

“Rreziku i një përshkallëzimi të paqëllimshëm dhe një lufte gjithëpërfshirëse po rritet çdo ditë. Prandaj kërkohet kujdes ekstrem”, tha Baerbock.

Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës në tetor 2023, ka pasur përplasje të përditshme midis ushtrisë izraelite, Hezbollahut dhe grupeve aleate në zonën kufitare midis Izraelit dhe Libanit.

Hezbollahu ka një arsenal prej rreth 150,000 raketash. Në rast lufte, ai mund të lëshojë mijëra raketa në ditë në qytetet izraelite – dhe të zhdukë infrastrukturën e rëndësishme. Një breshëri raketash mund të pushtojë mbrojtjen raketore të Izraelit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›