BEJRUT – Lideri i Hezbollahut: Shpërthimet në Liban përbëjnë “një shpallje lufte”

BEJRUT, 19 shtator /ATSH-DPA/- Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha sot se shpërthimet e njëpasnjëshme të pajisjeve elektronike në të gjithë Libanin, të cilat supozohet gjerësisht se janë shkaktuar nga Izraeli, përbëjnë “një shpallje lufte”.
“Nuk ka dyshim se ne kemi qenë subjekt i një goditjeje të madhe sigurie dhe humanitare, e paprecedentë në historinë e rezistencës sonë dhe ndoshta në historinë e konfliktit me armikun”, tha në një fjalim të shumëpritur televiziv, Nasrallah.
“Në një minutë çdo ditë, armiku donte të vriste 5000 njerëz pa u shqetësuar për asgjë”, tha ai.
“Përgjigja jonë është, në emër të dëshmorëve dhe të plagosurve, se fronti i Libanit nuk do të ndalet derisa të ndalet agresioni kundër Gazës, pavarësisht sakrificave…”, tha ai.
“Shpërthimet që goditën Libanin të martën dhe të mërkurën ishin një operacion i madh terrorist, një akt gjenocidi dhe një masakër dhe përbën një shpallje lufte”, tha udhëheqësi i milicisë së mbështetur nga Irani.
Ndërsa Nasrallah po fliste, avionët luftarakë izraelitë depërtuan duke thyer barrierën e zërit – si shpërthimi i një bombe që shkaktoi panik.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, të paktën 37 njerëz janë vrarë dhe rreth 3 000 të tjerë janë plagosur në të gjithë vendin – në serinë e shpërthimeve që përfshinin pajisje dhe telekomanda të përdorura nga Hezbollahu. //a.i/