E Martë, 3 Nëntor 2026

BEJRUT – SHBA-Liban diskutime mbi armëpushimin Izrael-Hezbollah

BEJRUT, 5 prill /ATSH-DPA/- E dërguara speciale e SHBA-së për Lindjen e Mesme, Morgan Ortagus zhvilloi sot një takim “konstruktiv” me presidentin Joseph Aoun në Liban, sipas një deklarate nga zyra e presidentit.

Vizita e saj vjen në sfondin e një armëpushimi midis Izraelit dhe milicisë libaneze të Hezbollahut, i cili hyri në fuqi në nëntor.

“Bisedimet u përqëndruan në çështjet kryesore, duke përfshirë situatën në Libanin jugor dhe reformat e vazhdueshme ekonomike të vendit që synojnë luftimin e korrupsionit”, thuhet në deklaratën presidenciale.

Ortagus zhvilloi gjithashtu takime të veçanta me kryeministrin e Libanit, Nawaf Salam dhe kryetarin e parlamentit, Nabih Berri.

Sipas medieve libaneze, Ortagus kishte planifikuar gjithashtu të takohej me shefin e ushtrisë libaneze dhe guvernatorin e bankës qendrore, si dhe me disa zyrtarë të tjerë dhe figura politike në vendin e trazuar financiarisht.

Një zyrtar i lartë libanez tha për gazetën “Al-Joumhouria” se liderët e Libanit kishin planifikuar të theksonin nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjes së armëpushimit.

Javët e fundit, disa raketa janë lëshuar nga Libani jugor drejt Izraelit verior. Milicia e Hezbollahut e mbështetur nga Irani ka mohuar përgjegjësinë.

Izraeli iu kundërpërgjigj sulmeve duke goditur periferitë jugore të Bejrutit, një bastion i Hezbollahut.

Agjencia shtetërore e Libanit e Lajmeve (NNA) raportoi se bisedimet mes Ortagus dhe Salam ishin fokusuar në reformat financiare dhe ekonomike.

“E dërguara e SHBA-së vlerësoi agjendën e reformës së qeverisë, e cila përfshinte heqjen e sekretit bankar, hartimin e një ligji për reformën e sektorit bankar, nisjen e një mekanizmi të ri për emërimet publike dhe rinovimet administrative e institucionale”, sipas raportit.

“Bisedimet përfshinë gjithashtu kufirin e Libanit me Sirinë, ku Hezbollahu dikur kishte një pikëmbështetje nën diktatorin sirian tashmë të rrëzuar, Bashar al-Assad”, tha NNA.

Diskutimet theksuan rëndësinë e vendosjes së kontrollit të plotë për të parandaluar trazirat dhe kontrabandën përtej kufirit. Ortagus nuk ka bërë asnjë deklaratë publike. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›