BEOGRAD – FMN-ja dhe Serbia arrijnë marrëveshje për program 36-mujor ekonomik

BEOGRAD, 30 tetor /ATSH/ – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në nivel stafi për rishikimin e dytë të një programi 36-mujor, që synon të mbështesë reformat ekonomike në vendin ballkanik, njoftoi sot FMN-ja, sipas “Reuters”.
Instrumenti i quajtur ”Policy Coordination Instrument” u nënshkrua në tetor 2024 për të lehtësuar Serbinë në sigurimin e huave nga burime të tjera.
Sipas këtij programi, autoritetet serbe janë të angazhuara që deficiti fiskal të mos kalojë 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë tre viteve.
Rishikimi do të duhet të miratohet nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, sipas deklaratës së fondit, e cila u dha pas një vizite tetëditore në Serbi.
Serbia ka përjetuar muaj protestash antiqeveritare pas 16 viktimave nga shembja e një çatie stacioni hekurudhor vitin e kaluar, ngjarje që shkaktoi akuza për korrupsion dhe neglizhencë të gjerë.
FMN – ja njoftoi se rritja ekonomike e Serbisë është ngadalësuar këtë vit për shkak të tensioneve tregtare globale, pasigurisë politike në vend dhe sanksioneve amerikane ndaj kompanisë së naftës NIS.
“Mungesa e korrjeve pati gjithashtu një efekt mbi çmimet e ushqimeve, megjithëse inflacioni kryesor ra në 2.9% në shtator pas kontrolleve të përkohshme të çmimeve dhe margjinave,” theksoi FMN.
Rritja për vitin 2025 parashikohet të jetë 2.1%, para se të rimëkëmbet në rreth 3% në 2026, me përmirësim të investimeve dhe eksporteve, të mbështetura nga të ardhurat më të larta të familjeve dhe kushte financiare të qëndrueshme.
FMN-ja theksoi gjithashtu se rezervat valutore të Serbisë mbeten të bollshme dhe borxhi publik është i moderuar. /Ad.Ab./