Berisha: Shqiptarëve iu mungon e drejta e procesit ligjor

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi sot gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, si “dramatike” dhe të pashembullt në botë”.
Berisha foli në seancën plenare në Kuvend, gjatë diskutimit për raportin vjetor të Avokatit të Popullit, ndërsa tha se Kushtetuta është një letër e vdekur dhe të drejtat më themelore të njeriut janë inekzistente.
Kreu i PD-së u shpreh se paraburgimet masive janë një dëshmi e shëmtuar falimentimit të drejtësisë, një dhunim masiv i lirive dhe të drejtave të qytetarëve, një mohim i vërtetë i të drejtës së qytetarit shqiptar për një proces të ligjshëm.
“Qytetarët e një vendi kanë të drejta themelore dhe njëra prej tyre është procesi gjyqësor i drejtë. Si në asnjë vend tjetër të planetit, presin sipas zyrtarëve të këtyre institucioneve, presin 16 vite për një proces gjyqësor, dhe kjo ka si pasojë vetëgjyqësinë. Kur mendoj se ky mohim i kësaj të drejte ka sjellë 643 raste të regjistruara vetëgjyqësie, ka sjellë 180 vrasje, ka sjellë 220 plagosje, ka sjellë qindra vepra të tjera penale”, tha Berisha.
Berisha solli në vëmendje deklaratën e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që sipas tij u shpreh se nga një vit në vitin tjetër, afati 16-vjetor është shkurtuar vetëm me 16 ditë.
“Ju garantoj se shqiptarët dhe qytetarët e botës në çdo vend, qoftë dhe në diktaturë, janë më të përfillur nga drejtësia e tyre se sa në Shqipëri. Drejtësi e munguar. Drejtësia 16 vjet në pritje, është drejtësi që mungon, drejtësi që krijon ato shpërthime që ne pamë nga ekzekutimi publik në sallën e gjyqit të gjykatësit, që kurrë nuk pranohet sigurisht”, vijoi ai.
Sipas Berishës, ekziston një mohim i një të drejte që shqiptarët e kanë gëzuar që nga koha kur janë ndarë nga shoqëria para shtetërore.
“Në këtë kontekst duke vlerësuar të gjitha qëndrimet e Avokatit të Popullit dhe mirëkuptuar plotësisht se, ky institucion duhet të bëhet zëdhënës i fuqishëm në Europë dhe në botë i kësaj gjendje dramatike të qytetarëve shqiptarë që iu mungon e drejta e procesit ligjor”, tha Berisha.
Kreu i PD-së shtoi se Avokati i Popullit duhet të bëhet zëdhënës i qytetarëve ndaj reformës që i shtyu qytetarët shqiptarë drejt vetëgjyqësisë njëlloj sikur të mos kishin shtet.
/e.i/j.p/