E Martë, 3 Nëntor 2026

BEOGRAD – Serbia dhe Hungaria forcojnë lidhjet ushtarake

BEOGRAD, 1 prill /ATSH-DPA/- Hungaria dhe Serbia po forcojnë lidhjet e tyre ushtarake, ndërsa ministrat e Mbrojtjes nga të dy vendet nënshkruan sot një marrëveshje të re, në Beograd.

Marrëveshja, e nënshkruar në prani të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, përfshin plane për zgjerimin e ndjeshëm të manovrave të përbashkëta ushtarake.

“Ne duam të përshpejtojmë dhe avancojmë më tej konvergjencën e të gjitha pozicioneve tona në sektorin e mbrojtjes”, shkroi Vuçiç në Instagram.

Sipas portalit pro-qeveritar serb “Politika.rs”, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes, Vuçiç tha se do të dëshironte që të dy vendet të lëviznin drejt një aleance apo bashkimi ushtarak dypalësh.

“Vuçiç e përshkroi gjithashtu Hungarinë si partneren më të afërt ushtarake të Serbisë në rajon”, tha portali.

Ministri hungarez i Mbrojtjes, Kristóf Szalay-Bobrovniczky i bëri jehonë kësaj ndjenje, duke e quajtur Serbinë partneren më të rëndësishme ushtarake të Hungarisë jo-anëtare të NATO-s dhe jo-anëtare të BE-së.

Serbia dhe Hungaria kryen 48 aktivitete të përbashkëta ushtarake në vitin 2023.

Ky numër do të rritet në 79 këtë vit, duke mbuluar manovrat detare, manovrat luftarake shumëkombëshe për rezervistët vullnetarë dhe manovrat ushtarake me armë.

Planet për prokurimin e përbashkët të armëve janë gjithashtu në vend.

Raportet e mëparshme të medias sugjeruan se Hungaria synon kryesisht t’i shesë Serbisë pajisje ushtarake të vjetruara nga rezervat e saj. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›