KOMENT – Armëpushimi i pjesshëm në Detin e Zi në kundërshtim me kushtet e Kremlinit

KIEV, 1 prill /ATSH/- Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock i përshkroi sot përpjekjet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të siguruar një armëpushim në luftën trevjeçare midis Rusisë dhe Ukrainës si të bllokuara, ndërsa ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi tha se ishte inkurajuese që bisedimet midis Uashingtonit dhe Moskës për gjetjen e një zgjidhjeje po vazhdojnë, sipas AP.
Ministrja e Jashtme gjermane, Baerbock, gjatë një vizite të paparalajmëruar sot në Kiev tha se “për shkak të bllokimit” midis SHBA-së dhe Rusisë për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, mbështetja e vazhdueshme e aleatëve evropianë për Ukrainën ishte absolutisht thelbësore.
Trump kritikoi të dielën presidentin rus, Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur zhgënjim për vazhdimin e luftës- për të cilën ai ishte zotuar ta ndalonte me shpejtësi.
Trump këmbënguli se po bëhej progres në negociata – duke shtuar se ai do të konsideronte vendosjen e sanksioneve të mëtejshme për të ushtruar presion ndaj Moskës dhe akuzuar Zelensky se po përpiqej të tërhiqej nga marrëveshja me SHBA-në për aksesin në burimet minerale të Ukrainës.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha tha sot se versioni i fundit i marrëveshjes së mineraleve ishte në diskutim e sipër – dhe se Ukraina kishte kryer raundin e parë të konsultimeve mbi atë version.
Putini ka refuzuar në mënyrë efektive propozimin e SHBA-së për një ndalesë të menjëhershme dhe të plotë 30-ditore të luftimeve, pavarësisht nga nxitja e Trump.
Gjithashtu, propozimi i një armëpushimi të pjesshëm në Detin e Zi – që mund të lejonte dërgesa më të sigurta – ka rënë në kundërshtim me kushtet e vendosura nga negociatorët e Kremlinit.
“Rusia po mban pezull marrëveshjen për të lehtësuar transportin detar në Detin e Zi në mënyrë që të frenojë përpjekjet drejt një armëpushimi të përgjithshëm dhe të përfitojë lëshime të tjera nga Perëndimi”, sipas një vlerësimi të Institutit për Studimin e Luftës, me qendër në Uashington. //a.i/