BERLIN – Baerbock për bojkotimin e takimit në Hungari: Kohët janë shumë serioze për lojëra të vogla

BERLIN, 23 korrik /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ritheksoi sot rëndësinë e unitetit evropian, një ditë pasi kryediplomati i BE-së Josep Borell njoftoi bojkotimin e takimit të planifikuar të ministrave të Jashtëm në Budapest, muajin e ardhshëm.
Baerbock paralajmëroi se “kohët janë shumë serioze për lojëra të vogla” gjatë një takimi me homologun e saj holandez, Caspar Veldkamp në Berlin.
Bojkoti u vendos në përgjigje të “misionit të paqes” të vetëshpallur të kryeministrit hungarez Viktor Orban në Moskë – për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pasi Hungaria mori presidencën e rradhës të BE-së në korrik.
Borrell tha se në vend të kësaj do të ftonte ministrat në Bruksel, kundër dëshirës së vendeve anëtare Gjermanisë, Spanjës dhe Luksemburgut.
Baerbock tha se ishte Borrell dhe jo Orban, ai që përfaqësonte presidencën e BE-së në politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Ajo tha se nuk ishte befasuese që veprimet e Orban kishin shkaktuar konfuzion në mesin e shumë prej partnerëve dhe se ajo do të pranonte ftesën e Borrell për në Bruksel.
“Holanda pret që presidenca hungareze t’i shërbejë unitetit të BE-së dhe të veprojë si një ndërmjetës i ndershëm”, tha Veldkamp.
Ministri i Jashtëm holandez tha se vizitat e Orban ishin të gabuara dhe se nuk kishte dyshim se Rusia ishte agresori në konflikt.
“Nuk mund të ketë negociata për të ardhmen e luftës pa përfshirë Ukrainën”, shtoi ai. //a.i/