BERLIN – Gjermania i ofron Ukrainës një ndihmë të re ushtarake

BERLIN, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Ukraina ka marrë një ndihmë të re ushtarake nga Gjermania, tha sot Ministria e Mbrojtjes në Kiev.
Dërgesa, e konfirmuar edhe nga qeveria gjermane, përfshin 15 tanke luftarake “Leopard 1 A5”, dy tanke kundërajrore “Gepard”, një obus vetëlëvizës “Panzerhaubitze 2000”, dy sisteme kundërajrore “Iris-T” dhe dy raketa-hedhës “Patriot”.
Sistemet kundërajrore janë kryesisht të rëndësishme për Kievin – për të luftuar sulmet me dronë dhe raketa të Rusisë, të cilat janë intensifikuar javët e fundit.
Qeveria gjermane tha se dorëzimi i sistemeve shtesë “Iris-T” ishte premtuar në vitin 2023.
Gjermania i ka dhënë Ukrainës 65,000 fishekë shtesë për tanket kundërajrore “Gepard”, si dhe municione të tjera për sistemin “Iris-T”.
Përveç kësaj, Berlini ka furnizuar Kievin me raketa “AIM-9L/I Sidewinder”, të cilat mundësojnë avionët luftarakë të sulmojnë objektivat në ajër.
Përveç armëve të rënda, paketa e re gjermane përfshin edhe kamionë, drone, sisteme radari dhe municione.
Gjermania ka ofruar një ndihmë ushtarake me vlerë rreth 28 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën.
Pjesa më e madhe e fondeve është përdorur për të financuar dërgesat e armëve nga industria, ndërsa pjesa tjetër, rreth 5,2 miliardë euro, janë dërgesa direkte nga rezervat ushtarake gjermane.
Gjermania është mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës pas SHBA-së, duke ofruar armë dhe forma të tjera ndihme.
Ukraina ka mbrojtur veten kundër pushtimit të plotë të Rusisë që nga shkurti i vitit 2022. //a.i/