BERLIN – Gjermania kundërshton planin e Borrell për të ndërprerë bisedimet politike me Izraelin

BERLIN, 14 nëntor /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock hodhi poshtë sot propozimin e kryediplomatit të BE-së Josep Borrell për të pezulluar dialogun e rregullt politik me Izraelin në përgjigje të luftërave në Gazë dhe Liban.
“Ne jemi gjithmonë në favor të mbajtjes hapur të dialogut. Sigurisht, kjo vlen edhe për Izraelin”, tha Ministria e Jashtme gjermane në përgjigje të propozimit të Borrell.
Ministria e Jashtme tha se dialogët politik në kuadër të Këshillit të Asociimit BE-Izrael japin një mundësi të rregullt për të diskutuar respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ofrimin e ndihmës humanitare për njerëzit në Rripin e Gazës.
“Ndërprerja e dialogut, nga ana tjetër, nuk do të ndihmonte askënd, as palën palestineze dhe as atë izraelite”, thuhet në deklaratë.
“Borrell propozoi që shtetet anëtare të BE-së të pezullonin dialogun politik me Izraelin për luftën e tij në Rripin e Gazës”, tha një burim diplomatik i BE-së.
“Bazuar në raportet e disponueshme të agjencive të pavarura ndërkombëtare, ka arsye për të konsideruar se Izraeli po shkel të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha burimi.
Nisma, e cila u paraqit në një takim të ambasadorëve të BE-së të mërkurën, tani do të diskutohet në një takim të ministrave të Jashtëm të hënën në Bruksel. //a.i/