Xhixho: Qeveria i ka tradhtuar pensionistët, në 11 vite asnjë rritje

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi sot në Kuvend se në 11 vite nuk ka pasur rritje pensionesh.
“Fakt është që pensionistët janë shtresa më e diskriminuar dhe që jeton në varfëri ekstreme. Të mos flasim këtu për hapësira komunitare sociale apo aktivitete integruese për ta. Shumë të tjerë jetojnë me të ardhurat që u sjellin fëmijët e emigruar jashtë, se të ishte për pensionet që marrin, do ta kishin të pamundur të ushqeheshin edhe vetëm me bukë”, u shpreh ajo.
Sipas Xhixhos, tallja e radhës ishte që nga 1 tetori, pensionistët shqiptarë që prisnin rritjen e pensioneve të tyre, morën vetëm 25 lekë të reja më shumë në ditë, praktikisht një panine.
“Nuk mund të quhet rritje e pensioneve kur shton 25 lekë të reja, ndërsa çmimet janë dy e trefishuar”, tha Xhixho.
Sipas saj, “pensionistët shqiptarë janë më të varfrit në rajon me një pension mesatar 160 euro, ndërsa në Kosovë është 340 euro, në Malin e Zi është 450 euro, në Maqedoninë e Veriut është 325 euro dhe në Serbi është 390 euro”.
“Më shumë se çdo gjë tjetër, kjo shifër e Eurostat për pensionistët shqiptarë tregon nivelin e përjashtimit social, në krahasim me vendet fqinje, ndërkohë që me vendet e Europës jemi vite drite larg”, u shpreh Xhixho.
Xhixho tha se nëse bëhet një krahasim me vitin 2013, pensionistë marrin sot 30% më pak pasi çmimet janë rritur dhe pensionet nuk kanë ndryshuar fare.
“Kjo është e vërteta e hidhur që e ndien sot çdo pensionist që nuk i del të blejë ilaçet apo të paguajë energjinë. Pra, në krahasim me vitin 2013 nuk ka rritje, por vetëm ulje pikiatë të mundësisë që me një pension të kenë një jetë dinjitoze”, tha Xhixho. /m.m/