E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BERLIN – Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Parisit, OBSH-së, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së

BERLIN, 22 janar /ATSH-DPA/- Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Parisit dhe Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) pavarësisht tërheqjes së planifikuar të SHBA-së nën drejtimin e presidentit Donald Trump, tha sot një zëdhënëse e qeverisë në Berlin.

“Ne mbështetemi në organizatat ndërkombëtare dhe në një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj këtyre marrëveshjeve”, tha zëdhënësja.

“Qeveria gjermane e sheh ndryshimin e klimës si një sfidë masive globale që kërkon zgjidhje globale”, tha ajo.

“Sipas këndvështrimit tonë, marrëveshja e Parisit për klimën është e domosdoshme dhe ne do të vazhdojmë të përqendrohemi tek ajo”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e përshkroi gjithashtu OBSH-në si një mjet jetik kundër kërcënimeve ndaj shëndetit publik.

“Berlini do të mbetet në kontakt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të kuptuar më mirë se cilat janë motivet”, tha ajo.

Pas marrjes së detyrës të hënën, Trump lëshoi ​​një sërë urdhrash ekzekutivë që synojnë braktisjen e angazhimeve globale.

Ai u përpoq të tërhiqte SHBA-në nga OBSH-ja në vitin 2020 gjatë mandatit të tij të parë, por masa u anulua nga pasardhësi i tij, Joe Biden, në 2021 përpara se të hynte në fuqi.

Në një urdhër ekzekutiv të hënën, Trump deklaroi se organizata kishte reaguar dobët ndaj pandemisë së koronavirusit dhe po kërkonte kontribute të padrejta nga SHBA-ja.

Ministri gjerman i Shëndetësisë Karl Lauterbach e quajti tërheqjen e SHBA-së një goditje të rëndë për luftën ndërkombëtare kundër krizave globale shëndetësore.

Proceset e tërheqjes nga OBSH-ja dhe Marrëveshja e Parisit zgjasin një vit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›