E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BERLIN – Scholz: Partitë rivale gënjyen publikun për ndihmën ndaj Ukrainës

BERLIN, 22 janar /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Olaf Scholz këmbënguli sot se paketa e re e ndihmës për Ukrainën duhej të financohej duke hequr rregullat strikte për huamarrjen e qeverisë, duke akuzuar partitë rivale se kishin “gënjyer publikun” përpara zgjedhjeve të Gjermanisë më 23 shkurt.

Scholz ka këmbëngulur që paketa me vlerë 3 miliardë euro (3,1 miliardë dollarë) për Ukrainën nuk mund të financohet me buxhetin aktual për vitin 2025, edhe pasi Ministria e Financave të hënën njoftoi kursime të papritura prej 10,2 miliardë euro nga buxheti i vitit 2024.

“Pyetja se si do të financohet kjo, kërkon një përgjigje. Kushdo që e lë këtë pa përgjigje gënjen publikun,” tha Scholz, i cili ndodhet në Paris për një takim me presidentin francez Emmanuel Macron.

“Pyetja kryesore e kësaj fushate zgjedhore është: Kush do ta paguajë faturën?”, tha ai.

“Si e financoni të gjithë këtë? Përmes shkurtimeve? Përmes rritjes së taksave?”, shtoi Scholz.

Ditët e fundit, kancelari ka patur mosmarrëveshje për këtë çështje me bllokun konservator CDU/CSU, Demokratët e Lirë liberalë dhe partnerin e tij të mbetur të koalicionit, të Gjelbrit.

Partitë rivale besojnë se ndihma mund të financohet përmes shpenzimeve të jashtëzakonshme, duke përjashtuar nevojën për të hequr frenimin kushtetues të Gjermanisë për huamarrjen. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›