E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vengu: Rreshterja me karrierë 14-vjeçare ka rrëzuar të gjitha barrierat e paragjykimeve gjinore

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Rreshtere Teuta Kërtuka me një karrierë 14-vjeçare në Forcat e Armatosura, ka rrëzuar të gjitha barrierat e paragjykimeve gjinore.

Kështu u shpreh ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu në një postim në rrjetet sociale.

“Misionet ndërkombëtare mbrojtja civile dhe siguria e vendit. Forcat e Armatosura janë sot një aset i rëndësishëm kombëtar që veprojnë përtej fushës ushtarake. Teuta Kërtuka ka vendosur një precedent për të cilin veçse mund të krenohemi”, tha Vengu.

Ministri Vengu u shpreh se “për herë të parë, në vitin 2018, ajo u bë e para grua në mision EOD dhe ka marrë pjesë në 4 misione të NATO-s për Prezencën e Përparuar të Përforcuar në Letoni”.

“Sot, Forcat e Armatosura janë familja e të gjithë shqiptarëve që besojnë dhe dëshirojnë të kontribuojnë për sigurinë dhe mbrojtjen civile”, tha Vengu.

Në videon e publikuar nga Vengu, rreshterja Kërtuka tha se “prej 14 vitesh jam pjesë e batalionit të Xhenios. Mbaj detyrën e komandantes së skuadrës në kompaninë e mbështetjes në këtë batalion. Në 14 vite kam kryer disa detyra, pjesë e së cilës ka qenë edhe detyra në EOD si komandante skuadre dhe ky batalion ka detyra shumë të vështira, të cilat po të pyesësh opinionin mendohet se kryhen vetëm nga burrat në fakt këto detyra kryhen edhe nga gra me shumë sukses sepse as në këtë batalion dhe as në Forcat e Armatosura nuk hasim ndonjë diskriminim ose dallim mes grave dhe burrave”.

“Për mendimin tim të jesh pjesë e Forcave të Armatosura është një privilegj jo vetëm për shkak të trajtimit financiar, por edhe për shkak të një karriere të bukur që do ta donte çdo grua”, tha Kërtuka.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›