BERLIN – Takim Scholz-Biden-Macron-Starmer për Ukrainën dhe LM

BERLIN, 8 tetor /ATSH-AFP/ – Kancelari gjerman, Olaf Scholz do të presë presidentin amerikanë, Joe Biden, atë francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, të shtunën në mëngjes në Berlin, për të bërë një pasqyrë të luftës në Ukrainë dhe situatën në Lindjen e Mesme.
Ky takim do të bëhet në kuadër të vizitës së Joe Biden në Gjermani, ku pritet të mbërrijë të enjten në mbrëmje.
Më pas, udhëheqësit do të marrin pjesë në një takim të vendeve aleate të Ukrainës, të shtunën pasdite, në bazën ushtarake amerikane në Ramstein në Gjermaninë jugperëndimore.
Duhet të përfaqësohen rreth 50 vende dhe pritet prania e kreut të shtetit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
”Me këtë rast, është krejt e mundshme që Berlini të shpallë një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën”, tha sot një burim qeveritar, pa specifikuar shumën.
Gjermania është, pas Shteteve të Bashkuara, kontribuesja e dytë më e madhe në financimin e dërgesave të armëve në Ukrainë, por vendi planifikon të përgjysmojë kontributin e tij buxhetor vitin e ardhshëm për të reduktuar shpenzimet publike.
Samiti i Ramsteinit do të jetë “një mundësi për të dërguar një sinjal të fortë në favor të mbështetjes ushtarake për Ukrainën”, sipas burimit gjerman.
Qeveria e Olaf Scholz, nga ana tjetër, qëndron e vendosur në refuzimin e saj për të dorëzuar raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, të afta për të arritur thellë në territorin rus.
Takimi vjen në një kohë vendimtare për Ukrainën përpara zgjedhjeve të nëntorit në SHBA, të cilat mund të minojnë mbështetjen që ajo merr nga një prej donatorëve dhe furnizuesve kryesorë të armëve, Shtetet e Bashkuara.
Kandidati republikan, Donald Trump ka kritikuar prej kohësh miliarda dollarët e paguara nga Shtetet e Bashkuara për të mbështetur Ukrainën dhe mbron një politikë shumë më të favorshme për Rusinë.
Të përballur me përkeqësimin e krizës në Lindjen e Mesme, liderët e Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Britanisë kanë ripërtërirë thirrjet e tyre ditët e fundit për një armëpushim në Gaza dhe në luftën midis lëvizjes libaneze pro iraniane Hezbollah dhe Izraelit.
Emmanuel Macron bëri thirrje të shtunën që të ndalohen dërgesat në Izrael të armëve të përdorura në Gaza, duke ngjallur zemërimin e kryeministrit izraelit.
Joe Biden deri më tani ka refuzuar të përdorë çështjen e armëve për të ushtruar presion mbi Izraelin, përveç pezullimit të dërgesës së bombave në maj.
Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Joe Biden do të ketë bisedime dypalëshe të premten me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier./ a.jor.