BERLIN – Zelensky do të takohet me liderët gjermanë pavarësisht shtyrjes së samitit

BERLIN, 11 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të udhëtojë sot në Gjermani, pavarësisht se samiti i planifikuar në Ukrainë është shtyrë – për shkak të Uraganit “Milton” duke bërë që presidenti amerikan Joe Biden të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fillimisht, Zelensky ka planifikuar të takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe më pas me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, në Berlin.
Bisedimet pritet të fokusohen në mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën – në formën e dërgesave të armëve për mbrojtjen e saj kundër pushtuesve rusë, por edhe në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore të luftës.
Zelensky do të merrte pjesë në një samit të Ukrainës me liderët e 50 vendeve aleate në bazën ajrore amerikane në Ramstein, në Gjermaninë jugperëndimore të shtunën – por u shty pasi Biden vendosi të qëndrojë në SHBA për shkak të uraganit “Milton”.
Në vend që të marrë pjesë në samit, Zelensky pritet të zhvillojë sot një vizitë dypalëshe, pas bisedimeve në Londër, Paris dhe Romë.
Kjo është vizita e dytë e Zelensky në Gjermani brenda pesë javësh dhe takimi i tretë personal me Scholz gjatë kësaj periudhe.
Në fillim të shtatorit, Zelensky mori pjesë në një takim të ministrave të Mbrojtjes të aleatëve të NATO-s në Ramstein dhe u takua me Scholz në Frankfurt.
Vetëm tre javë më vonë, të dy liderët u takuan sërish përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. //a.i/